“Në 6 muajt e fundit kemi arritur shumë së bashku, e kemi rikthyer Borussian në rrugën e duhur sportive. Si staf teknik kemi ndjerë një besim të madh, e kuptojmë se mund të bëjmë realisht diferencën këtu, së bashku me klubin dhe tifozët”, – tha Niko Kovac, pas nënshkrimit të kontratës deri në vitin 2027 me Borussia Dortmund.
“Bisedat e javëve të fundit ma kanë forcuar më tej këtë bindje; mund ta vazhdojmë me sukses rrugëtimin që kemi nisur. Me punë të ndershme, vendime të qarta dhe entuziazëm të madh duam të kontribuojmë për ta rikthyer Borussian te fuqia e tij e dikurshme. Ende kemi shumë objektiva për të arritur, së bashku”.
Ja komunikata zyrtare e klubit: “Borussia Dortmund dhe Niko Kovac shikojnë së bashku drejt së ardhmes. Trajneri ka zgjatur kontratën e tij me 8 herë kampionin e Gjermanisë deri më 30 qershor 2027. Kovac dhe stafi i tij teknik morën drejtimin e BVB dimrin e kaluar, kur skuadra ishte në vendin e 11-të të Bundesligës. Falë një rikthimi spektakolar në fund, e sollën ekipin përsëri në kualifikueset e Champions League”.
Përveç drejtuesit Kehl, edhe drejtori i përgjithshëm i sektorit sportiv, Lars Ricken, dha deklarata mbi konfirmimin e Kovac: “Niko i është përkushtuar plotësisht rolit të tij te BVB. E njeh futbollin në detaje, ka parime të qarta, është jashtëzakonisht i ndershëm, komunikon në mënyrë të drejtë dhe shpërblen performancat e mira. Menaxhimi i tij i disiplinuar ka stabilizuar mbrojtjen tonë, na ka ndihmuar të shënojmë shumë gola dhe na ka rikthyer te futbolli tërheqës. Me të, klubi ynë është përsëri në rritje”.







