Kritikoi “snobizmin” e Yamal në kombëtare, Guti bën një hap pas dhe… përgjithëson

13 Qershor 2025
10:43
Alfred Lleshi
back button

Ditë më parë, disa deklarata të José María Gutiérrez ‘Guti’ në programin ‘El Chiringuito’, lidhur me paraqitjen e Lamine Yamal në një konferencë për shtyp të përfaqësueses së Spanjës, me kapelle në kokë të vendosur mbrapsht, shkaktuan shumë polemika.

Ish-mesfushori i Real Madridit u shpreh me tone të ashpra: “Besoj se është hera e parë që shoh një futbollist në konferencë shtypi me kapelën mbrapsht mbi kokë. Dhe mua kjo nuk më pëlqen”.

Sipas tij, “është çështje klubi dhe kombëtareje. Në jetën e tij mund të veshë çfarë të dojë, por këto gjëra, nëse doni më quani plak, mua nuk më pëlqejnë. Kur të jetë në Ibiza apo kudo tjetër, le ta bëjë. Por me kombëtaren spanjolle, në një konferencë shtypi, jo”.

Më tej shtoi: “Nuk është faji i Lamine Yamal, është faji i atij që duhet t’i thotë: Shiko, me kapelën në konferenca për shtyp të kombëtares spanjolle, jo”.

Tani, i pyetur për këtë çështje në një intervistë për ‘Marca’, me rastin e angazhimit të tij si komentator për DAZN në Botërorin e Klubeve, Guti sqaroi: “Besoj se fjalët e mia janë keqinterpretuar. Nuk ishte për Lamine.

Flisja në përgjithësi, për çdo lojtar, sidomos kur përfaqëson një klub apo një kombëtare. Është e vërtetë që, nëse ia lejojnë, mund të bëjë ç’të dojë. Por nuk ishte një mesazh personal ndaj tij, thjesht kritikoja faktin që një lojtar të dalë në konferencë për shtyp në atë mënyrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit