Rëndësia që ka Kupa e Botës për Klube në nivelet e larta të Real Madridit është thelbësore. Ky turne i ri nisi si diçka e vështirë për t’u kuptuar dhe madje bezdisëse në kalendar, por “Los Blancos” kanë dy arsye për të dashur ta fitojnë këtë trofe.
E para është ajo ekonomike. Fituesi do të marrë mbi 100 milionë euro, një shpërblim shumë joshës që Real Madridi e ka në shënjestër. Arsyeja e dytë ka të bëjë me prestigjin. Madrilenët fituan Kupën e parë të Europës në histori dhe tani duan të bëjnë të njëjtën gjë edhe me këtë turne të ri përballë rivalëve të nivelit më të lartë si Interi, PSG apo Manchester City.
Për këtë arsye, Real Madridi ka përshpejtuar shumicën e lëvizjeve të verës: ardhja e Xabi Alonsos, transferimi i Huijsen, negociatat për të siguruar më herët Alexander-Arnold dhe po tenton të mbyllë marrëveshjen për Álvaro Carreras. Katër përforcime që Florentino Pérez shpreson t’i ketë të kompletuara para 18 qershorit, kur madrilenët debutojnë ndaj Al-Hilal në “Hard Rock Stadium”.
Megjithatë, plani i bardhë nuk përfundon këtu, pasi trajneri bask kërkon një tjetër përforcim në mesfushë. Janë përmendur emra si Wirtz apo Enzo Fernández, por çmimet e tyre janë të paarritshme për momentin. Gjithsesi, në Madrid janë të vetëdijshëm se Kupa e Botës për Klube mund t’i detyrojë “të thyejnë” tregun dhe të shkojnë me gjithçka pas një ylli, për t’u rikuperuar nga një rezultat i keq. Aq më tepër me largimin e Luka Modric do të kërkohet zëvendësues në merkato.
Rëndësia e këtij turneu ka qenë vendimtare në menaxhimin e klubit para fillimit, por mund të bëhet edhe më e madhe nëse nuk arrihen objektivat. Edhe pse Real Madridi është një nga favoritët kryesorë, skuadra e bardhë do të mbërrijë pa shumë ndeshje në këmbë dhe Xabi Alonso do të debutojë në pankinë kundër ekipit saudit. Ky skenar pasigurie është shqetësues në Valdebebas, ku të gjithë e dinë se një dështim në qershor do të ishte i vështirë për t’u përtypur, sidomos pas asaj që ndodhi këtë sezon.
Skuadra e Carlo Ancelottit mbeti pa fituar asnjë nga tre trofetë kryesorë dhe në një klub si Real Madridi, pasojat e mungesës së sukseseve janë gjithmonë të paparashikueshme. Nëse ekipi nuk jep përgjigjen e duhur në SHBA, askush nuk e përjashton një lëvizje “bombë”, që trondit merkaton. Ky turne mund të vendosë drejtimin e sezonit para se ai të fillojë.







