KUPA E SHQIPËRISË | Përcaktohen 8 ekipet çerekfinaliste, ndahen edhe vazot e shortit!

15 Janar 2025
20:38
Telesport
back button

Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan tetë skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni. Laçi, Bylis, Skënderbeu, Egnatia, Dinamo City, Vllaznia, Partizani dhe AF Elbasani janë tetë ekipet e kualifikuara për në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë. Ditën e martë, Laçi mundi Kukësin 3-1, ndërsa Bylis siguroi kualifikimin në shtesë pasi mposhti Tiranën 2-1. Sot u luajtën gjashtë ndeshjet e tjera të fazës 1/8. Egnatia mundi Kastriotin 4-0, ndërsa Dinamo City triumfoi 6-1 ndaj Erzenit. Falë fitores minimale 1-0, Skënderbeu siguroi kualifikimin ndaj Vorës.

Elbasani eliminon Teutën – Elbasani ka siguruar praninë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur me shifrat 2-0 Teutën në një ndeshje ku për të shpallur fituesin u deshën kohët shtesë. Dy skuadrat e Superiores kërkonin me çdo kusht kalimin e turit, duke parë Kupën si mundësinë e tyre për të siguruar trofe në këtë sezon. Por ata ishin të pasakta para portës gjatë 90 minutave të sfidës, duke bërë që për fituesin të kërkoheshin kohët shtesë. Golat e Tsague në shtesën e parë dhe Lleshit në të dytën bënë diferencën për verdheblutë, të cilët kësisoj shkuan mes 8 skuadrave më të mira të turneut, duke u konfirmuar si ekip që synon të shkojë sa më larg në këtë turne.

Keko udhëheq Partizanin – Partizani ka kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me shifrat 2-0 Apoloninë në ndeshjen e luajtur në kryeqytet. Pritej një kualifikim i thjeshtë i të kuqve, por në pjesën e parë loja e skuadrës së Veselinoviç la shumë për të dëshiruar, edhe pse në fushë ishin pjesa më e madhe e titullarëve të zakonshëm.

Megjithatë, një gol i shpejtë i Kekos në startin e pjesës së dytë i dha frymëmarrje Partizanit që nisi të administronte lojën. Fierakët iu afruan golit duke goditur shtyllën, por në momentin kur u duk se po tentonin të shënonin, erdhi goli i dytë i Kekos i cili mbylli diskutimet e kualifikimit.

Vllaznia në frymën e fundit – Vllaznia kualifikohet në për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pasi mposhti Besën. Goli i vetëm i sfidës u shënua në minutën e 108-të nga Mehdi Çoba i cili bëri heroin për shkodranët. Besa u shfaq shumë dinjitoze duke provuar disa herë për të gjetur golin pavarësisht se nuk ja doli. Tashmë kuqeblutë ndodhen në turin tjetër të këtij kompeticioni.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë vazot për shortin e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Në Vazon 1 janë: Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu. Në vazon 2 janë: Laçi, Dinamo City, Bylis dhe AF Elbasani. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me dy takime, dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë. Në ditët në vazhdim do të bëhet e ditur se kur do të hidhet shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit