Barcelona, pas testeve përkatëse, ka publikuar raportin mjekësor për Lamine Yamal, në lidhje me gjendjen e kyçit të djathtë të këmbës së tij, si dhe konfirmimin e mungesës së talentit 17-veçar për 3 deri në 4 javë.
Raporti mjekësor zyrtar sqaron se Lamine ka pësuar një dëmtim të gradës së parë në ligamentin “intertibio-peroneal” të përparmë të kyçit të djathtë të këmbës. Ky dëmtim do ta mbajë atë jashtë fushave për një periudhë prej 3 deri në 4 javë.
Me siguri, ai do të mungojë në përballjen e rëndësishme kundër Atlético Madridit, fundjavën e ardhshme. Po kështu ka humbur ndeshjen kundër Barbastro në Kupën e Mbretit.
Në rastin më të mirë, ai mund të rikthehet për gjysmëfinalet e Superkupës së Spanjës kundër Athletic Club. Por, nëse rikuperimi zgjat 4 javë, pjesëmarrja e tij në finalen e mundshme më 12 janar mbetet në dyshim.
Mungesa e Lamine Yamal vjen në një moment të vështirë për skuadrën katalanase. Barça ka arritur vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit të La Liga-s, duke grumbulluar 3 humbje. Ajo që filloi si një rënie forme tani duket të jetë kthyer në një krizë sportive.
Me Atlético Madridin si kundërshtarin e radhës në La Liga, Barcelona humb një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm dhe kreativë, pikërisht kur skuadra ka nevojë të rikthejë formën e saj më të mirë.
Dëmtimi ndodhi gjatë ndeshjes së fundit, ku Lamine pësoi një ndrydhje të kyçit të këmbës pas 15 minutash lojë. Pavarësisht dhimbjes, talenti i “La Masía” qëndroi në fushë deri në minutën e 75-të, kur u zëvendësua nga Gavi.
Marcus Sorg, i cili drejtoi skuadrën në mungesë të Hansi Flick, shmangu dhënien e detajeve gjatë konferencës për shtyp: “Nuk mund të them që është mirë, do të duhet të presim ekzaminimet e stafit mjekësor”.
Tani, rezultatet konfirmojnë dyshimet: i riu do të jetë jashtë fushave në një moment vendimtar të sezonit. Barcelona shpreson që Lamine Yamal të rikuperohet sa më shpejt, pasi mungesa e tij përbën goditje të rëndë për një skuadër që kërkon të rikthehet te vazhdimësia dhe suksesi.