Barcelona tashmë ka marrë “po” e Joan Garcia, duke pritur vetëm që të paguajë 25 milionë eurot e klauzolës së tij të lirimit dhe të gjejë hapësirë në rregullat e “fair play financiar” për ta federuar. Paralelisht, klubi katalanas duhet të zgjidhë situatën e Marc-André ter Stegen, i cili ka kontratë deri në vitin 2028.
Portieri gjerman ndodhet aktualisht i grumbulluar me përfaqësuesen e Gjermanisë për “Nations League”. Ai ishte titullar në gjysmëfinalen ndaj Portugalisë, por nuk mundi ta shmangte humbjen 2-1, që tani e detyron të luajë për vendin e tretë ndaj Francës.
Për këtë arsye, e ardhmja e tij nuk do të vendoset përpara përfundimit të angazhimeve me kombëtaren. Pas ndeshjes me luzitanët, Ter Stegen deklaroi: “Nuk është momenti të flitet tani për kontratën time me Barcelonën”.
Më tej shtoi për disa media të pranishme në Stuttgart: “Jam i përqendruar te përfaqësuesja. Kam folur tashmë. Nuk kam asgjë për të shtuar. Do të flasim në një moment tjetër”.
Ter Stegen pritet ta sqarojë të ardhmen e tij pas përfundimit të detyrimeve ndërkombëtare. Synimi i tij është të qëndrojë dhe të respektojë kontratën që, në të kaluarën, e kishte ristrukturuar për ta ndihmuar Barcelonën në një moment të vështirë, ashtu siç kishin vepruar edhe Piqué, Messi, De Jong dhe Lenglet.







