Pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Champions League, te skuadra e Barcelonës është rritur entuziasmi për të fituar të tri trofetë sezonale. Këtë gjë e konfirmoi sot presidenti i ekipit katalanas, Joan Laporta.
“E vetmja gjë që mund të them është se po punojmë shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur me përkushtimin e lojtarëve, talentin, mënyrën mjeshtërore në të cilën Hansi Flick po udhëheq ekipin tonë”, tha Laporta.
“Edhe mund ta fitojmë “treble” (tripletën). Dhe e vërteta është se është një kënaqësi të shoh Barçën kur luan futboll”, shtoi më tej presidenti i Barcelonës.
“Skuadra është e fortë. Duhet të kontrollohet çdo detaj, por megjithatë jam shumë i kënaqur me këtë sezon. Një nga pikat e rëndësishme që kemi përmirësuar ishte në aspektin fizik”, tha Laporta.
Më tej, presidenti i klubit “blaugrana” shtoi: “Ne po luajmë shumë mirë, po luajmë në një mënyrë që njerëzit e pëlqejnë. Ky ekip po ndjek thelbin e Barcelonës. Tani kemi një tjetër përballje të vështirë ndaj Inter në Champions”.
“Gjithsesi, jam shumë i lumtur sepse kanë kaluar gjashtë vjet që Barcelona ka arritur në gjysmëfinale të Champions League. Dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë tifozët tanë“, përfundoi Laporta.






