Pavarësisht zhgënjimit të Superkupës së humbur, sezoni i Interit po ecën me ritme të një skuadre të madhe. Zikaltrit janë e vetmja skuadër italiane që është kualifikuar direkt në 1/8-at e Champions League dhe synojnë të jenë protagonistë deri në fund.
Në Serie A, ekipi i Simone Inzaghit ndodhet në vendin e dytë, me një ndeshje më pak, mund të afrohet shumë me Napolin në krye. Ritmi i zikaltërve është i ngjashëm me sezonin e kaluar, me një mesatare prej 2.38 pikësh për ndeshje (ndaj 2.57 një vit më parë), duke e bërë garën për titull të hapur.
Përmirësimi fizik i Interit është i dukshëm. Pas disa javësh paqëndrueshmërie, fitoret bindëse ndaj Lecce dhe Monaco kanë treguar një skuadër energjike dhe dominuese për 90 minuta. Forca kryesore mbetet loja gjithëpërfshirëse. Kur Interi rrit ritmin dhe agresivitetin, bëhet thuajse i pandalshëm.
Testi i vërtetë do të jetë derbi i së dielës kundër Milanit. Në dy përballjet e fundit me kuqezinjtë, Interi nuk ka qenë në nivelin e duhur, por këtë herë nuk mund të gabojë.
Në krye të sulmit zikaltër është një Lautaro Martinez i papërmbajtshëm: 9 gola në 9 ndeshjet e fundit, duke shënuar në 5 sfida radhazi. Me një “Toro” kaq në formë, Interi mund të ëndërrojë më shumë se kurrë. Dhe pranvera e zikaltrëve mund të vijë më herët nga sa pritej…







