Interi e mbyll vitin 2024 me fitore. Kampionët në fuqi të Italisë kanë vuajtur disi në pjesën e parë, por në të dytën kanë shënuar gol me anë të mbrojtësit Bastoni, në 53’ (goditje e saktë me kokë pas një krosimi perfekt të Nicolò Barella), pastaj kanë dyfishuar rezultatin me Lautaro Martinez në 71’, duke e vendosur fatin e 3-pikëshit të çmuar në rrugën e duhur.
“Vulën” fitores së pastër 3-0 ia vendosi turku Çalhanoğlu, me golin nag pika e bardhë, në 79’. Transferta ndaj Cagliarit konsiderohej me “kurthe” nga zikaltrit, por përqendrimi dhe cilësia, dukshëm në anën e skuadrës së Inzaghit, ka bërë diferencën.
Me këtë sukses, Interi ka kapur kreun e Serie A për momentin, me 40 pikë, po aq sa ka edhe Atalanta, e cila do ta luajë ndeshjen e javës së 18-të më vonë, këtë të shtunë. Pra, nëse fiton ndaj Lazios në “Olimpico”, skuadra e Gapserinit e mban sërish e vetme kreun.
Ama, kujtojmë se zikaltrit kampionë kanë një ndeshje në dorë, atë të shtyrën ndaj Fiorentinës për shkak të kolapsit shëndetësor të Bove. Te Cagliari nuk u aktivizua fare portieri shqiptar Alen Sherri, por Scuffet. Te zikaltrit, Kristjan Asllani u hodh në fushë në minutën e 80-të, në vend të Calhanoglu, kur rezultati ishte 3-0.
Statistika dhe kuriozitete nga ky duel:
Interi i ka dominuar përballjet e fundit kundër Cagliarit në Serie A, duke fituar 11 nga 14 sfidat e fundit (përfshirë sfidën e sotme). Në këtë periudhë, zikaltrit kanë shënuar një mesatare prej 2.6 golash për ndeshje.
Fitorja e fundit e Cagliarit ndaj Interit daton më 1 mars 2019, me rezultatin 2-1 në stadiumin “Unipol Domus”.
Interi ka fituar 8 nga 9 transfertat e fundit kundër Cagliarit, duke shënuar rregullisht dhe mbajtur një seri pozitive në 5 ndeshjet e fundit.
Skuadra sarde pësoi humbjen e katërt radhazi në kampionat, çka ndodh për herë të parë që nga shkurti 2024.
Në vitin kalendarik 2024, Interi ka shkëlqyer në Serie A: Më shumë fitore (27 në 38 ndeshje); sulmi më i mirë (91 gola), mbrojtja më solide (29 gola të pësuar), numri më i ulët i humbjeve (2).
Lautaro Martinez u zhbllokua sonte ndaj “viktimës” së tij të preferuar, teksa kishte shënuar 9 gola në 9 përballjet pararendëse kundër Cagliarit në Serie A. Vetëm kundër Salernitanës (10 gola), kapiteni zikaltër ka bërë po aq mirë sa ndaj sardëve.
KLIKO për të parë golat e ndeshjes:
Cagliari-Inter 0-1, goli i Alessandro Bastoni 53’
Cagliari-Inter 0-2, goli i Lautaro Martinez 71’
Cagliari-Inter 0-3, goli i Hakan Calhanoglu me penallti 78’