Lewandowski: Të paktën luaj edhe një vit në nivel të lartë te Barcelona, pastaj nuk e di…

2 Qershor 2025
13:27
Alfred Lleshi
back button

Robert Lewandowski, sulmuesi i Barcelonës, ka dhënë një intervistë për “Mundo Deportivo”, ku bëri përmbledhjen e sezonit që sapo përfundoi: “Mendoj se ka qenë një sezon pothuajse perfekt. Fitua kampionatin, Kupën, Superkupën dhe arritëm gjysmëfinalen e Champions League, shumë afër finales.

Ky është futbolli. Duhet të jemi të lumtur jo vetëm për trofetë, por edhe mënyrën si kemi luajtur. Tifozët dhe ata që na kanë ndjekur, me siguri e kanë parë që kjo skuadër ka shumë zemër. Për këtë arsye, mendoj se duhet të jemi shumë të kënaqur”.

Në moshën 36-vjeçare, Lewandowski është në sezonin e tretë me Barcelonën dhe ka shënuar 42 gola. Një rekord i ngjashëm me atë të viteve më të mira te Bayern Munich. Ja si e shpjegon polaku këtë sukses: “Mosha ime është një faktor… Si ta them? Janë vetëm numra. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe mendërisht.

Gjatë dhe pas dëmtimit u ndjeva pak më keq se më parë, por kjo është normale. Kishim një periudhë të vështirë në fund të vitit të kaluar, por është e kuptueshme, pasi skuadra është shumë e re. Pas humbjes me Atlético Madridin, mendova se ishte më mirë ta kalonim atë moment atëherë, sesa më vonë.

Është normale që një skuadër e re të ketë vështirësi për të mbajtur nivel të lartë gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, nga fillimi në fund, kemi luajtur mirë dhe kemi fituar shumë ndeshje, jo vetëm me rezultat të ngushtë, por duke shënuar shumë gola. Në këtë moshë, jam shumë i lumtur. E di që jam në formë të mirë fizike dhe mund të luaj të paktën edhe një vit në nivelet më të larta”.

Lewandowski ka firmosur për një vit tjetër, pa opsion rinovimi. A do të jetë ky, sezoni i fundit në Barcelonë? Ja si përgjigjet polaku: “Mendoj se kam mjaft kohë për të vendosur çfarë do të bëj pas sezonit të ardhshëm. Mund të mbaj të njëjtin nivel si këtë sezon, por në futboll gjërat mund të ndryshojnë.

Ka edhe faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në vendimet e mia. Prandaj mendoj se është shumë herët për të menduar për këtë tani. Kam kohë për të pushuar dhe për t’u përgatitur sa më mirë për sezonin tjetër. Jam i sigurt që fizikisht do të jem mirë. Kemi edhe disa javë për t’u përgatitur dhe jam kënaqur shumë me këtë skuadër. Jam shumë krenar që mund të luaj për të”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit