Interi ka nisur zyrtarisht sezonin e ri në qendrën stërvitore “Appiano Gentile”. Për t’i përshëndetur të pranishmit ishte Beppe Marotta. Pasi theksoi rezultatet e viteve të fundit, duke përmendur shtatë trofetë kombëtarë, si dhe dy finalet e Ligës së Kampionëve dhe atë të Ligës së Europës, presidenti dhe CEO i zikaltërve shpjegoi strategjitë e erës së re nën drejtimin e fondit Oaktree: “Synojmë profile të rinj për të ulur moshën mesatare dhe rritur vlerën e përgjithshme të skuadrës. Megjithatë, në futboll nuk fitohet me 11 të rinj në formacion”.
Përjashtimi nga këto udhëzime ka një emër; Ademola Lookman. “Kjo është një javë vendimtare, – konfirmoi Marotta. – Marrëdhëniet me Atalantën janë të mira, do të hapim një negociatë konkrete dhe brenda 2-3 ditësh, nëse krijohen kushtet, do ta mbyllim. Në të kundërt do të kalojmë tek objektiva të tjerë. Lojtari është në listën tonë dhe profili i tij përputhet me atë që kemi diskutuar me trajnerin”.
Më pak e nxehtë, për momentin, është pista Giovanni Leoni. Për mbrojtësin e Parmës, në vend të kësaj, foli Cristian Chivu: “Ai dhe Pio Esposito janë vërtet shumë të veçantë edhe në aspektin njerëzor. Do të përfaqësojnë të ardhmen e futbollit italian, edhe në kombëtare”.
Më pas Chivu ndau idenë e tij për skuadrën: “Dua një Inter hibrid, agresiv, vertikal, që di t’i lexojë momentet e ndeshjeve dhe të sezonit. Pika e nisjes është formacioni 3-5-2, por do të përshtatemi edhe me skema të tjera. Identiteti ka më shumë rëndësi se numrat”.
Nuk mungoi as komenti për çështjen Çalhanoglu: “Jam i lumtur që punoi shumë dhe u rikthye i shëndetshëm. Ka shumë dëshirë për ta treguar veten. Ishte i zhgënjyer dhe i mërzitur që nuk mundi ta ndihmonte skuadrën në Amerikë, e provoi, por u dëmtua. Si ai, ashtu edhe ne, kishim shpresuar ta kishim për ndeshjen e dytë”.







