Manaj largon xhelozitë: Nuk ka rëndësi kush shënon, por të fitojë Shqipëria

14 Nëntor 2025
8:08
Alfred Lleshi
back button

Rey Manaj ia dedikoi kualifikimin në ‘play off’-in e Botërorit 2026 një personi që ka dhënë shumë për lojtarët kuqezinj, Ylli Mihali, ish-masazhatori i kombëtares, i cili humbi jetën nga Covid-19: “E dinim që në fillim që do të ishte ndeshje e vështirë. Kishte 3 ditë që ndihej tension i ndeshjes. Në pjesën e parë donim të bënim gol që në fillim, por shyqyr që futi atë topin Uzuni dhe Asllani e zhbllokoi rezultatin.

Në ndeshjen e parë që luajtëm ndaj Anglisë, pësuam humbjen 2-0, kemi 8 ndeshje pa humbur. Sot nuk bëmë ndeshje të mirë, por me karakter treguam se të gjithë lojtarët donin të fitonin. Vetëm Shqipëria të eci para, pak rëndësi ka kush shënon. Unë jam i kënaqur, këtu jemi në kombëtare, s’ka asnjë lloj xhelozie. Shpresoj që Asllani të shënojë dhe shumë gola të tjerë me këtë fanellë.

Nuk e pashë çfarë ndodhi me Brojën, është e kotë të mashtroj. Isha i përqendruar te festa me skuadrën. Të gjithë ndihen mirë, të gjithë çunat janë në harmoni. Duam të ndihmojmë çunat e rinj si Berisha, Pajaziti etj. Ne jemi këtu edhe për t’i mbështetur në momente të vështira, jo vetëm për të fituar. Meritojnë 40 lojtarë të vijnë në kombëtare.

Kombëtarja është gjithmonë me faza, trajneri ka zgjedhur të aktivizojë lojtarë të tjerë. Jemi profesionistë, vetëm kështu arrihet Botërori. Po nuk pati harmoni dhe grup është e vështirë. Sot pashë disa foto të Ylli Mihalit, doja ta kujtoja. Na preku të gjithëve, sidomos familjen e Yllit, këtë fitore ia dedikoj atij dhe mbesës së vogël”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit