Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, në dalje nga ceremonia mortore e ish-presidentit zikaltër Ernesto Pellegrini, foli gjithashtu për momentin që po kalon klubi zikaltër pas largimit të Simone Inzaghit, duke drejtuar një mesazh për tifozët:
“Jemi një Inter i fortë. Do të dimë ta kalojmë edhe këtë moment të papritur e të vështirë, i cili nuk na tremb. Punojmë për të mirën e Interit, do ta bëjmë këtë me pasion, vendosmëri dhe ndjenjën e përkatësisë, që gjithmonë kemi treguar gjatë këtyre viteve”.
Presidenti i Interit më pas shtoi: “Do të thoja se kemi humbur një president, një sipërmarrës dhe një njeri të madh. Një president që e menaxhoi Interin sikur të ishte familje. Ai ishte si një ‘pater familias’, në një futboll romantik krahasuar me atë të sotmin, me shumë pasion dhe vendosmëri.
Mbi të gjitha, do të kujtohet si një njeri që gjithmonë iu është drejtuar të tjerëve dhe më të dobëtëve, jo vetëm me ndihma materiale, por edhe morale. Përulësia dhe bujaria e tij, si dhe aftësia për të dëgjuar, janë cilësi të një lideri dhe drejtuesi biznesi, siç ishte ai”.







