Marotta: Liverpool dhe Arsenal? Sfida të vështira, por nuk trembemi. Merkatoja jonë është mbyllur

29 Gusht 2025
9:19
Alfred Lleshi
back button

Pas shortit të fazës së ligës në Champions League, presidenti i Interit, Beppe Marotta, foli për mikrofonat e “Sky Sport”, duke analizuar si rrugëtimin europian, ashtu edhe strategjinë e klubit në merkato:

“Edhe pse edicioni i kaluar u mbyll me eliminimin ndaj PSG-së, arritëm deri në finale. Nga sezoni 2018-2019, Interi është skuadra italiane që e ka përfaqësuar më shumë vendin tonë në këtë kompeticion. Kjo është krenari e madhe. Objektivi ynë është të bëjmë mirë. Chivu është në eksperiencën e tij të parë si trajner, por këtë trofe e ka fituar si lojtar dhe di si t’i përballojë ndeshje të tilla. Formula e re është shumë e vështirë, ndaj është thelbësore t’i përballosh skuadrat në momentin e duhur dhe të jesh gjithmonë në formë të shkëlqyer psiko-fizike”.

Presidenti zikaltër u ndal edhe te strategjia e klubit: “E kemi bërë merkaton tonë, sipas një modeli ndryshe. Kemi investuar te të rinjtë, katër blerje plus një lojtar të ardhur nga akademia jonë, Pio Esposito. Mosha mesatare e grupit është 21.5 vjeç, në harmoni me projektin e pronësisë dhe klubit. Kemi një trajner debutues, por me eksperiencë të madhe si lojtar. Organika është në sintoni me ambiciet tona”.

Për sfidat në shtëpi kundër Liverpool-it dhe Arsenalit, presidenti zikaltër theksoi: “Për mua si i apasionuar i futbollit, është kënaqësi t’i presim këto skuadra në ‘San Siro’. Niveli i vështirësisë është shumë i lartë, por edhe ne jemi të besueshëm si konkurent. Në shtëpi do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë fantastikë dhe do ta luajmë pa frikë. E rëndësishme është t’i arrijmë këto sfida në gjendjen më të mirë psiko-fizike”.

Më pas foli edhe për dy çështje të nxehta të skuadrës: “Çalhanoglu? Është një lojtar i rëndësishëm, prezent dhe e ardhmja e Interit. E ardhmja e Taremi? Tani topi është në duart e tij, duhet të vendosë. Ne jemi në pritje të vendimit të lojtarit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit