Marotta: Nuk fshihemi; qëllimi ynë janë gjithmonë trofetë. Chivu nuk ishte plani rezervë

29 Korrik 2025
8:05
Alfred Lleshi
back button

Beppe Marotta, president dhe CEO i Interit, ka inauguruar sezonin 2025-2026 në “Appiano Gentile” për klubin zikaltër: “E mbyllëm një sezon me 63 ndeshje, që na pa të shkonim deri në fund të të gjitha kompeticioneve. Humbëm finishin, dolëm të dytët për një centimetër, çka duam ta rikuperojmë. Megjithatë, të mbërrish deri aty nuk është diçka e lehtë, ndaj duam të rifillojmë me ambicie dhe me një ‘palmares’ për t’u mbrojtur.

Është e kotë të fshihemi pas frazave të zakonshme si ‘duam të jemi në katërshen e parë’. Ne jemi mësuar të jemi të qartë; duam të fitojmë. Nëse të tjerët do të jenë më të mirë, do t’i përgëzojmë, por ky është objektivi ynë.

Po nisim me një trajner të ri. Gjatë këtyre muajve janë shkruar shumë gjëra, si për shembull që ishte një zëvendësim ose një zgjedhje e dytë. Asgjë më të pavërtetë se kjo nuk ka. Kur, bashkë me Oaktree, përcaktuam modelin e skuadrës që donim të ndërtonim, më pas kërkuam të identifikonim profilin e duhur.

Në një kompani normale, kur përzgjidhet një drejtues, bëhet një seleksionim. Fakti që kemi kontaktuar edhe një figurë tjetër nuk e ul vlerën e Chivu, përkundrazi, e përforcon zgjedhjen për të. Në krahasim me të tjerët, ai njeh ambientin dhe vlerat e këtij klubi. Këto janë avantazhe nga të cilat do të përfitojmë shumë.

Modeli ka ndryshuar, sepse edhe këtu, me largpamësi të madhe, pronësia (Oaktree) i ka vënë në dispozicion menaxhmentit një shumë të konsiderueshme për ta investuar në profile të caktuara, pra të rinj. Do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Na duhej një lider për këtë grup dhe këtë e kemi identifikuar te Chivu”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit