Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka dhënë një intervistë të gjatë për “The Athletic”, ku ka folur rreth të ardhmes së klubit nën drejtimin e fondit “Oaktree”: “Me pronësinë amerikane kemi rënë dakord për të krijuar një model të ri, që do ta zbatojmë nga sezoni i ardhshëm. Na kanë garantuar stabilitet dhe siguri financiare, gjë që na lejon të ndërtojmë diçka afatgjatë. Investimet do të përqendrohen te profile pak më të rinj, që përfaqësojnë një vlerë reale; lojtarë me potencial, të dobishëm për të tashmen dhe të ardhmen”.
Strategjia e re do të ndiqet pavarësisht se kush do të jetë trajner, por fjalët për Inzaghin janë sinjal i qartë dëshire për ta mbajtur: “Është një trajner shumë i zoti. Di si t’i motivojë lojtarët dhe nuk krijon tensione të panevojshme. Skuadra luan futboll modern, duke kërkuar të shënojë sa më shumë dhe jo vetëm të mbrohet. Është një futboll që njerëzit e vlerësojnë dhe i argëton”.
Përsa i përket rrugëtimit të Interit, presidenti komentoi edhe ecurinë në Champions League: “Që nga finalja e Stambollit, ka nisur një proces ku lojtarët kanë fituar vetëdije për vlerën e tyre. Kjo i ka bërë më të pjekur për të luajtur në skena të mëdha, si kjo finale e dytë. Të gjithë në sport e njohin këtë ndjenjë: duhet të mësosh të jetosh me gëzimet dhe hidhërimet. Siç thoshte Mandela: Nuk humbas kurrë. O fitoj, o mësoj”.
Kjo e Mynihut do të jetë finalja e katërt për Marotta në Champions, por e para si president. Çfarë qëndron pas suksesit të ekipeve që ka ndërtuar? Ja përgjigja e tij: “Së pari, duhet që pronarët të kenë besim te menaxhmenti. Pastaj, duhet të kemi dy karakteristika: kompetencë dhe etikë pune, kulturë korporative. Një ndjenjë përkatësie ndaj klubit. Janë këto vlera që bëjnë diferencën. Nuk janë paratë, ato që fitojnë gjithçka; janë këto aspekte”.
Për kalendarin e mbingarkuar me afro 60 ndeshje sezonale, Marotta shton: “Është e rëndësishme që të bashkohemi për ta reduktuar sadopak kalendarin. Të luash 60 ndeshje në vit është e vështirë. Sipas meje, hapi i parë në Serie A duhet të jetë reduktimi i skuadrave nga 20 në 18, si në Bundesliga dhe Ligue 1. Po e shqyrtojnë edhe vende të tjera. Kjo, bashkë me përputhjen më të mirë të kalendarëve ndërkombëtarë me FIFA-n dhe federatat, do të ishte një hap përpara”.







