Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka shprehur vlerësimin e tij për kapitenin zikaltër, Lautaro Martinez, gjatë një videoje të realizuar nga klubi me titull “In Arte Lautaro”. Këto ishin fjalët e tij: “Kur flasim për Lautaron, flasim për një djalosh që erdhi si talent dhe u bë burrë e kampion tek Interi. Një artist i vërtetë i futbollit.
Pikërisht sepse po e lidhim me artin, më vjen ndër mend një pikturë e Van Gogh, ‘Nata me Yje’, e cila mund të krahasohet me sezonin e jashtëzakonshëm që kemi pasur dhe arritjen e titullit të yllit të dytë. Do të thosha që ky është krahasimi më i përshtatshëm.
Lautaro është një kampion që e kupton kulturën e punës, ndjenjën e përkatësisë dhe dashurinë për këto ngjyra zikaltër, karakteristika që e bëjnë atë kapitenin dhe liderin tonë. Po flasim për një person, një futbollist dhe një njeri të jashtëzakonshëm”.
Ndërkohë, Interi po pret kthimin e sulmuesit për të kryer kontrollet e nevojshme mjekësore. Federata Argjentinase njoftoi: “Sulmuesi Lautaro Martínez do të mungojë në grumbullimin e ekipit kombëtar për ndeshjet e marsit për shkak të një lëndimi muskulor në bicepsin femoral të këmbës së majtë”.
Kështu, “El Toro” nuk do të jetë i pranishëm në sfidat e ardhshme të “Selección”. Ekipi i Lionel Scalonit do të përballet të premten në mbrëmje me Uruguajin, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndërsa të mërkurën do të luajë ndaj Brazilit, në një tjetër ndeshje të madhe.
Lautaro mes lotësh: Botërori 2022? Kisha një kyç të tillë, disa gjëra nuk shihen
Ndërsa Interi pret të vlerësojë dëmtimin muskulor që e detyroi Lautaro Martinez të largohet nga grumbullimi i Argjentinës, klubi zikaltër ka publikuar një fragment të ri nga dokumentari “In Arte Lautaro”, e realizuar nga “Inter Media House”.
Në këtë episod, Lautaro foli për Botërorin 2022, një kompeticion që, megjithëse u mbyll me triumfin e Argjentinës, për të ishte plot sfida. Pas debutimit si titullar kundër Arabisë Saudite, ku iu anuluan dy gola, ai humbi vendin në formacion ndaj Julian Alvarez. Megjithatë, la gjurmën e tij në çerekfinalen kundër Holandës, duke shënuar me qetësi penalltinë vendimtare në lotarinë e 11-metërshave.
“Të fitosh një Botëror është gjithmonë diçka speciale, shumë e bukur dhe shumë e vështirë, edhe për gjithçka që kam përjetuar gjatë atij turneu. Ndonjëherë këto gjëra nuk shihen”, – u shpreh Lautaro, i përlotur.
Emocioni i tij lidhet me vështirësitë fizike me të cilat përballoi kompeticionin: “Shkova në Botëror me një kyç të tillë, – tha ai, duke bërë me shenjë për një problem të dukshëm fizik. – Gjithmonë kam dashur të jem në fushë dhe të stërvitem. Mungesa në Botërorin e Rusisë ishte një goditje e rëndë për mua. Të mbërrija në Katar në ato kushte nuk ishte ajo që doja. Si në jetën private me fëmijët e mi, ashtu edhe në fushë, gjithmonë jap gjithçka”.







