Martin triumfon në garën sprint dhe merr kreun e renditjes, Ducati shpallet kampion për konstruktorë

14 Tetor 2023
9:54
Telesport
back button

Ducati është shpallur sot matematikisht kampion për konstruktorë për sezonin 2023 në MotoGP. Rezultatet e arritura sot në garën sprint të zhvilluar në Indonezi, i japin titullin e katërt kampion radhazi motorit italian, që konfirmohet si marka më e mirë.

Gara sprint zhvilluar në pistën e Mandalika u fitua nga spanjolli Jorge Martin me Ducati Pramac. Ky është suksesi i katërt radhazi për Martin në garën sprint, ku ai është i pathyeshëm. Në vendin e dytë dhe të tretë u renditën dy pilotët italianë të skuadrës Ducati VR46, Luca Marini dhe Marco Bezzecchi.

Garë për t’u harruar kjo për italianin tjetër Francesco Bagnaia, kampionin e botës në fuqi me Ducati. Ai e nisi garën nga vendi i 13-të dhe e mbylli në vendin e tetë, duke dorëzuar kreun e renditjes, ku tashmë ndodhet Jorge Martin, me 7 pikë avantazh. Nesër zhvillohet gara zyrtare e Indonezisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit