Mendja shkon te “himni” që pëlqehet aq shumë, 4 nga 8 çerekfinalistët nuk fituan dot në prag të Champions-it

8 Prill 2025
9:40
Alfred Lleshi
back button

Në Itali diskutohet për fitoren e ikur nga duart të Interit në “Tardini”, kundër Parmës. Në fakt, duke marrë parasysh epërsinë e zikaltërve me dy gola në pushimin e pjesës së parë, tri pikët dukeshin të sigurta për ta. Sidoqoftë, ekziston ajo gjë, e vetëdijshme ose jo, që të futet në mendime dhe ndikon në mënyrë të pashmangshme.

Quhet Liga e Kampionëve dhe, ndonëse nuk thuhet hapur, mendja shkon tek ajo muzikë që na pëlqen aq shumë. Nuk ka kuptim të sillemi rreth e qark, një ndeshje kaq e rëndësishme pas pak ditësh ndikon në paraqitjen e skuadrës.

Ndikon në zgjedhjet e trajnerit, shihet te rotacioni në formacionin startues apo të aplikuar gjatë ndeshjes (shpjegohen kështu zëvendësimet e lojtarëve themelorë si Calhanoglu, Lautaro apo Dimarco) dhe në mendjen e atyre që luajnë.

Ja pse vetëm 4 nga 8 skuadrat që do të luajnë në dy ditët e para të çerekfinaleve të Champions League kanë arritur të fitojnë në kampionatet respektive, në fundjavë. Pra, vetëm 50% e tyre. Real Madridi madje ka humbur në shtëpi me Valencian, nuk mund të thuhet as që Ancelotti e ka tepruar me rotacionin, përveçse la Rodrygo në stol, i cili më pas u fut në vend të titullarit Brahim.

E njëjta gjë mund të thuhet për Barcelonën, që u ndal në “Montjuïc” nga Betis i inxhinierit Pellegrini, por që në përgjithësi hodhi në fushë formacionin bazë, përveç Raphinha, që hyri në pjesën e dytë. Arsenali, me mendjen te Real Madridi, barazoi kundër Evertonit, duke e nisur pa Saka dhe Odegaard.

Ka fituar PSG, që gjithashtu siguroi titullin kombëtar, por pa e tepruar, me një 1-0 në shtëpi ndaj Angers. Rezultat maksimal me përpjekje minimale, duke menaxhuar praninë e golashënuesit të sezonit, Dembélé. Aston Villa ka marrë një fitore shumë të rëndësishme kundër Nottinghamit të tretë në Premier League.

Tri pikë edhe për Borussia Dortmund, që shënoi goleadë ndaj Freiburgut. E njëjta gjë për Bayern Munich që, edhe pse i sakatuar, u përball edhe me fatkeqësinë e dëmtimit të Musiala në fitoren ndaj Augsburgut. Ndonjëherë, pra, rotacioni është zgjidhja më e mirë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit