Katër vite pas ndarjes së dhimbshme, Leo Messi nuk i rezistoi tundimit. Rikthimi i tij në shtëpinë e Barcelonës, në “Spotify Camp Nou” e ri, bëri xhiron e botës gjatë natës. Ylli argjentinas, që sot i bashkohet grumbullimit të Argjentinës në Alicante, vizitoi stadiumin e ri të klubit ku ndërtoi historinë e tij nga “La Masia” deri në ndarjen e vitit 2021.
“Natën e kaluar u ktheva me gjithë shpirt në një vend që më mungon. Një vend ku isha jashtëzakonisht i lumtur, ku ju më bëtë të ndihem mijëra herë njeriu më i lumtur në botë”, – shkroi Messi në rrjetet e tij sociale. Dhe më pas shtoi fjalinë që ndezi shpresën e tifozëve: “Shpresoj që një ditë të kthehem, jo vetëm për t’u përshëndetur si lojtar, siç nuk munda kurrë ta bëj…”
Një mesazh plot ndjenjë, që rikujton ndarjen e hidhur të vitit 2021 për shkak të problemeve financiare të klubit. Presidenti Laporta tashmë ka shtrirë dorën për paqe, edhe Messi duket gati ta quajë Barcelonën sërish shtëpi.







