Presidenti iu bën thirrje tifozëve argjentinas: Mos u mashtroni nga gënjeshtrat, Spanja e meritoi titullin

23 Korrik 2026
14:06
Alfred Lleshi
back button

Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka reaguar ndaj teorive të shumta konspirative që janë përhapur pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës. Pas deklaratave të trajnerit Lionel Scaloni dhe ndihmësit të tij Roberto “Ratón” Ayala, të cilët pranuan se Spanja ishte skuadra më e mirë, ka folur edhe presidenti i AFA-s, Claudio “Chiqui” Tapia.

Përmes një komunikate, Tapia iu bëri thirrje tifozëve të mos besojnë spekulimet që kanë qarkulluar ditët e fundit, që nga pretendimet për presione të jashtme e deri te teori të tjera pa baza:

“Ne mbrojmë ngjyrat tona, flamurin tonë dhe vendin tonë në çdo stadium të botës. Prandaj, mos u mashtroni nga gënjeshtrat apo manipulimet që synojnë vetëm të krijojnë destabilizim. Mjaft me përpjekjet për të përçarë njerëzit që i kanë dhënë kaq shumë futbollit tonë”.

Kreu i futbollit argjentinas pranoi gjithashtu epërsinë e kampionëve të botës: “Nuk ia dolëm përballë Spanjës. Ata ishin më të mirë, fituan me meritë dhe duhet ta pranojmë këtë. Në sport mësohet edhe duke pranuar humbjet me të njëjtën madhështi me të cilën festohen fitoret. Po, humbëm një finale, por ky grup i ka dhuruar gjithashtu vendit tonë gëzime të mëdha”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit