Barcelona zyrtarizon transferimin e Adeyemi, detajet financiare të marrëveshjes

23 Korrik 2026
13:09
Alfred Lleshi
back button

Barcelona ka njoftuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit gjerman Karim Adeyemi nga Borussia Dortmund. Klubi katalanas do të paguajë 22 milionë euro, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 7 milionë euro bonuse, si dhe një përqindje për Dortmundin nga një shitje e mundshme e lojtarit në të ardhmen.

Adeyemi largohet nga klubi gjerman pas 4 sezonesh, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 134 ndeshje dhe realizoi 35 gola. Në zyrat e Barcelonës mbizotëron kënaqësia për një afrim që gëzon mbështetjen e plotë të Hansi Flick. Trajneri gjerman beson se Karim Adeyemi përshtatet në mënyrë ideale me filozofinë e tij të lojës dhe e sheh ekskluzivisht si anësor, një rol ku mund të shfrytëzojë maksimalisht shpejtësinë, aftësinë për të sulmuar hapësirat dhe forcën për të fituar duelet një kundër një.

Megjithatë, ardhja e tij nuk ndryshon planet e drejtuesve sportivë në merkato. Barcelona vazhdon të punojë për afrimin e një sulmuesi qendre të nivelit të lartë. Një rol vendimtar në mbylljen e marrëveshjes pati edhe vetë dëshira e futbollistit.

Që në fillim, Adeyemi shfaqi gatishmëri të plotë për të veshur fanellën blaugrana, duke i dhënë përparësi projektit sportiv të Barcelonës përpara ofertave të tjera nga klube të rëndësishme europiane, i tërhequr veçanërisht nga mundësia për të punuar nën drejtimin e Hansi Flick.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit