Pedrag Mijatovic nuk kursen askënd. Ish-sulmuesi i Real Madridit (1996-1999) dhe ish-drejtori sportiv i klubit të bardhë (2006-2009) ka paralajmëruar prej kohësh se “skuadra po i dilte nga duart Ancelottit”.
Tani që sezoni ka ardhur drejt fundit, me shumë pak kënaqësi për tifozët e “Los Blancos”, serbi e ka shtuar edhe më shumë dozën e kritikës. “Një sezon në të cilin humb 4 herë ndaj Barcelonës është vërtet rast për t’u shqetësuar dhe menduar ndryshime”, – deklaroi ai për “Cadena Ser”.
Mijatovic i dërgon një mesazh të qartë edhe presidentit Florentino Perez: “Është koha për të shpenzuar para, për të afruar lojtarë të rinj dhe të uritur për sukses, për ta përforcuar grupin e tanishëm. Real Madridi ka nevojë për freski”.
Ai përshëndet gjithashtu zgjedhjen e Xabi Alonsos si trajner i ardhshëm i merenguesve: “Është një trajner që e di mirë çfarë kërkon, ka personalitet dhe karakter. Ndonjëherë karakteri është më i rëndësishëm sesa taktika”.
Sa i përket Vinicius Junior, Mijatovic habiti me deklaratën e tij të drejtpërdrejtë: “Ndoshta ka ardhur koha të mendohet për të ardhmen e Vinicius… Nëse largohet këtë verë, nuk do të ishte ndonjë problem i madh.
Nuk e njoh personalisht, por më kanë thënë që është një djalë i shkëlqyer dhe person fantastik. Sidoqoftë, ju e dini si funksionon në Madrid: nëse luan mirë dhe bën gjithçka siç duhet, qëndron. Përndryshe, të shesin dhe të lënë të largohesh”.
Mijatovic kujtoi se shumë yje të vërtetë të dekadës së fundit janë larguar nga klubi, edhe pse kishin dhënë shumë: “Në 10 vitet e fundit, shumë lojtarë që kanë bërë diferencën për këtë klub janë larguar”.







