Mesfushori i Real Madrid, Luka Modric, ishte titullar dje në humbjen e thellë 0-3 që “los blancos” pësuan ndaj Arsenal në çerekfinalen e parë të Champions League. Gjithsesi, ai beson te përmbysja dhe këtë gjë e konfirmoi sot për “CBS Sport Golazo”.
“Ishte një ndeshje e vështirë për të luajtur. Në pjesën e parë nuk luajtëm keq. Ne bëmë mirë, u mbrojtëm mirë. Arsenal pati disa raste, por ne ishim të organizuar mirë. Ne e ndaluam lojën e tyre midis rreshtave, pasi e dinim se atyre u pëlqen të gjenin Odegaard dhe Rice”, tha Modric.
“Ne u mbrojtëm mirë dhe patëm mundësi të mira për të shënuar në kundërsulm. Por siç ju thashë, nuk ishte e lehtë. Në pjesën e dytë, goli i parë i Arsenal ishte i mrekullueshëm dhe i vështirë për ne. Nuk e prisnim… Goditja e dytë e lirë ishte e pabesueshme“, shtoi më tej mesfushori kroat.
Duke folur për rënien e papritur të Real Madrid, ai tha: “Ata dy gola na vranë. Ne humbëm ekuilibrin, nuk ishim kompakt si në pjesën e parë. Arsenal ishte më i mirë. Është e thjeshtë. Nëse merr dy gola nga loja mund ta pranosh, por dy gola nga goditjet e lira...”
“Ky është futbolli. Është e vështirë të pranohet, por kaq. Duhet të përgatitemi për një ndeshje të rëndësishme në kampionat. Duhet të përpiqemi të fitojmë vetëbesim sepse vijmë nga humbje të njëpasnjëshme, diçka me të cilën nuk jemi mësuar”, shtoi Modric.
Megjithatë, ai nuk dorëzohet dhe beson në një rikthim në ndeshjen e kthimit: “Ne duhet të rikuperojmë mirë, të luajmë një ndeshje të mirë kundër Alavés, të fitojmë dhe të fitojmë besim. Nëse ka një ekip që mund ta bëjë përmbysjen ai është Real Madrid. Nuk do të jetë e lehtë“.






