Ansu Fati, i cili dikur cilësohej si xhevahiri i madh i Barcelonës, po kalon një periudhë sfiduese në karrierën e tij. Lëndimet e vazhdueshme e kanë penguar përparimin e tij, duke lënë pas të ardhmen premtuese që emocionoi dikur tifozët e Barçës.
Tashmë sulmuesi është kthyer në një pengesë për katalanasit, të cilët po kërkojnë prej kohësh një klub për ta “sistemuar” 22-vjeçarin duke qenë se është jashtë planeve të Flick.
Për spanjollin ka pasur disa oferta gjatë merkatos së janarit por në fund nuk është gjetur gjuha e përbashkët mes palëve. Megjithatë, Barcelonës mund t’i vijë në ndihmë Jose Mourinho. Mediat turke raportojnë ditën e sotme se Fenerbahce do tentojë të transferojë sulmuesin, pasi merkato në Superligën turke mbyllet më 13 shkurt.
Mourinho, i vetëdijshëm për aftësitë e lojtarit spanjoll, beson se mund ta ndihmojë atë të rifitojë besimin e humbur dhe të rizbulojë formën e tij më të mirë. Bisedimet janë ende në fazën fillestare, mbetet për t’u parë nëse në fund do të ketë “tym të bardhë”.







