Nga portieri milioner i Manchester City te mbijetesa me 2 euro: Bëra gjëra që dikush do të thoshte se nuk janë të vërteta

4 Maj 2024
8:47
Alfred Lleshi
back button

Eike Immel, portieri ndërkombëtar me Gjermaninë (19 paraqitje për Republikën Federale të Gjermanisë) dhe ish-lojtar i Borussia Dortmund, Stuttgart e Manchester City, është në një situatë të pasigurt financiare pas një jete të tepruar, pas pensionimit të tij.

Portieri 63-vjeçar, i cili i “vari dorezat në gozhdë” më 1997, pasi fitoi miliona euro gjatë gjithë karrierës, jeton me asistencë sociale në një apartament komunal në qytetin e tij (Stadtallendorf) dhe mezi i kanë mbetur 2 euro në llogarinë bankare.

“Tani jetoj me 1136 euro në muaj asistencë. 573 euro nga kjo shumë shkojnë për qiranë e shtëpisë, duke më mbetur vetëm 562 euro për shpenzime të tjera. Është një betejë e vërtetë për ta përballuar jetën, siguruar bukën e gojës.

Në fund të muajit, ndonjëherë më kanë mbetur vetëm 2 euro në llogari, – thotë Eike Immel në “Stat 1”. – Të gjitha mobiliet e apartamentit m’i kanë dhuruar, ndërsa një mik që drejton një restorant lokal më lejon të ha falas atje.

Paratë nuk ishin shqetësim për mua në të kaluarën, e jetoja jetën pa asnjë kufizim. Ndonjëherë fatura ime e celularit arrinte në 10.000 euro në muaj. Një Krishtlindje shpenzova më shumë se 26.000 euro rroba për të dashurën time të re. Pagova më shumë se një milion euro për shtëpinë time, por në një moment përmbaruesit më erdhën në derë”.

Ish-lojtari i Manchester City shpjegoi: “Zyra e taksave tha se unë iu detyrohesha atyre 935.000 euro, shumë që nuk mund ta paguaja. Bëra gjëra që çdo njeri normal do të thoshte se nuk mund të ishin të vërteta… Nuk kisha menduar mjaftueshëm për të ardhmen. Menaxhimi i parave nuk është një nga pikat e mia të forta”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit