Një raketë tenisi e shkatërruar gjatë një ndeshje është shitur për 6,000 euro. Kjo është ideja më e fundit nga Holger Rune, tenisti danez i renditur i 8-ti në botë.
Në platformën e tij online mund të gjeni kapele, bluza me autograf, letra loje, libra, por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është një iniciativë e re.
“Raketat e shkatërruara janë artikuj jashtëzakonisht të rrallë koleksionistësh, përdoren në ndeshje zyrtare dhe janë të disponueshme vetëm në numër shumë të kufizuar”, thuhet në faqe.
“Sepse Holger rrallë e lejon frustrimin ta mposhtë. Por kur e bën këtë, momenti dhe raketa tregojnë një histori”, thuhet në koment.
“Çdo raketë e dëmtuar është autentike, e përdorur në ndeshje dhe plotësisht unike. Ekzistojnë vetëm disa”, ka komentuar Rune.
Çmimet e raketave të dëmtuara variojnë nga 5,000 deri në 6,000 euro, në varësi se sa e dëmtuar është raketa.






