Një Partizan heroik në pjesën e dytë ndaj Teutës, çfarë fitoreje nga të kuqtë. Egnatia bie në “Elbasan Arena”

9 Nëntor 2025
18:57
Telesport
back button

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 11-të në Abissnet Superiore. Në “Niko Dovana”, edhe pse në avantazh të dyfishtë, Teuta është mundur 2-3 në fund nga Partizani.

Durrsakët gjetën golin e parë në minutën e 32-të me një aksion të shkëlqyer, Toli asiston për Fadairo, ky i fundit dërgon topin në zonë, aty ku ishte Xhoel Macolli, i cili shkundi rrjetën me një goditje klasi. Festë e madhe te “Djemtë e Detit”, ku nga gëzimi shihet duke çaluar trajneri Enkelejd Dobi.

Në minutën e 39-të, Ardit Toli shënon direkt nga goditja e këndit, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë Teutës. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për Teutën.

Pjesa e dytë ishte vërtet e bukur në “Niko Dovana”. Në minutën e 58-të, kolumbiani Diego Contreras shënon me kokë pas krosimit të Altin Bytyçit, duke ngushtuar shifrat në 2-1. Për Contreras kjo ishte ndeshja e parë me fanellën e ekipit të parë të Partizanit. Dy minuta më pas, Ergis Arifi pengohet brenda zonës nga mbrojtësi i Partizanit, Doumbia, arbitri tregon gishtin drejt penalltisë. Goditja e sulmuesit të Teutës, Sebastian Gonzales përplaset në shtyllë.

Në minutën e 66-të, Diego Contreras shtyn në rrjetë topin e ardhur nga Buxhelaj dhe barazon shifrat 2-2. Festë e madhe te të kuqtë.

Në minutën e 76-të, Partizani mbetet me 10 lojtarë, pasi autori i dy golave, Diego Contreras, merr kartonin e dytë të verdhë brenda pak minutash dhe lë fushën e lojës.

Në minutën e 86-të, ndodh e pabesueshmja. Rrok Toma tregohet i saktë nga penalltia dhe kalon në avantazh Partizanin, 11-metërshi erdhi si pasojë e një faulli të Tolit ndaj Atanaskoski. Rezultati final, Teuta-Partizani 2-3.

Në “Elbasan Arena”, Elbasani fitoi 1-0 ndaj Egnatia, në një sfidë direkte mes dy pretendentëve. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Në fillim të pjesës s ëdytë, rrogozhinasit mbetën me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të Guillem Jaime ndaj Karim Loukili, si lojtar i fundit.

Rezultati do të zhbllokhej në minutën e 66-të, ku pas një krosimi në zonë të Karim Loukili, ishte Blaise Tsague që dërgoi me kokë topin në rrjetë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit