“Nuk duroj dot më kështu…”; Bellingham do të operohet sapo të përfundojë Botërori i Klubeve

23 Qershor 2025
8:18
Alfred Lleshi
back button

Jude Bellingham u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes dhe doli në sallën e shtypit për të folur, duke konfirmuar se do t’i nënshtrohet një operacioni menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube. Para se të fliste për sa e vështirë ishte të luaje në atë mënyrë, ai pranoi se gjithçka nisi keq, por skuadra diti si të përshtatej.

“Ka qenë një gabim i të gjithëve. Mbetëm me një lojtar më pak, sepse u krijua një disavantazh dhe Asencio u detyrua të bënte faullin. Megjithatë, ditëm si të lëviznim dhe ta ndryshonim situatën. Xabi Alonso është një top-trajner. Flas shpesh me të dhe jemi shumë të kënaqur, sepse ka ide mjaft të mira për këtë fazë të re”, – tha mesfushori anglez.

Reagimi i skuadrës ishte pika më e fortë e ndeshjes për Bellingham: “Ndeshja u bë e vështirë pas përjashtimit të Asencios, por me personalitetin tonë arritëm ta ndryshonim. Duhej të përballonim stuhinë, Courtois ishte shumë i mirë. Nuk bëmë një ndeshje perfekte, kemi ende vend për t’u përmirësuar”.

Pozicioni në fushë dhe problemi me shpatullën, Bellingham e ka vendosur tashmë: “Kam arritur në një pikë ku dhimbja nuk është aq e keqe. Ishte bërë e padurueshme të luaja me mbajtësen në shpatull. Po humbas shumë peshë nga djersitja, ndaj do të operohem pas turneut. Kam pritur shumë dhe po më soset durimi, por fizioterapistët dhe mjekët janë të jashtëzakonshëm. Dua të ndihem i lirë.

Pozicioni im dhe dëshira për të qenë afër zonës kundërshtare? Është e vërtetë që sot e nisa më shumë në qendër, por pastaj u ndryshua situata. Nuk më intereson nëse luaj si numër 8 apo 10, ajo që më pëlqen është të arrij në zonën kundërshtare dhe të krijoj rrezik në portën përballë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit