Nuk përmbahen legjionarët kuqezinj, “flasin” me gola të rëndësishëm në klubet e tyre

31 Mars 2025
10:24
Alfred Lleshi
back button

Pas angazhimit me ekipin kombëtar, futbollistët kuqezi janë kthyer në klubet e tyre, ku disa kanë bërë menjëherë diferencën me gola vendimtarë. Rey Manaj është i pandalshëm, teksa pas dygolëshit ndaj Andorrës, shënoi sërish dy herë këtë fundjavë me ekipin e tij, Sivasspor, në ndeshjen kundër Adana Demirspor.

Në pjesën e parë, brenda katër minutave, sulmuesi shqiptar bëri gjithçka mirë dhe shënoi dy herë. Ndërsa në fraksionin e dytë ishte vendimtar me dy asiste për shokët e skuadrës. Ndeshja përfundoi 5-1 për Sivasspor dhe Manaj u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga sajti i specializuar për statistika, “Sofascore”.

Myrto Uzuni gjeti golin e parë me klubin e tij të ri amerikan, Austin. Në takimin në transfertë ndaj St. Louis City, sulmuesi kuqezi shënoi golin e vetëm në fitoren minimale. Tri pikë të artë për Austin, që renditet në vendin e dytë në kampionat, me 12 pikë.

Pasi debutoi si titullar me kombëtaren në sfidën ndaj Andorrës, Juljan Shehu shënoi gol këtë fundjavë me klubin e tij, Widzew Lodz. Mesfushori kuqezi shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 në transfertë ndaj Piast Gliwice.

Qazim Laçi zhvilloi një paraqitje të mirë, pavarësisht humbjes së Sparta Prague 4-2 ndaj Plzen. Mesfushori i kombëtares dha një asist në golin e parë të takimit, që u shënua nga Sparta Prague në minutën e 8-të.

Nga lojtarët e kombëtares, titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Elhan Kastrati, Simon Simoni, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Rey Manaj. Dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Taulant Seferi, Medon Berisha, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Jasir Asani.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit