Për Juventusin dhe trajnerin e tij, Massimiliano Allegri, ekziston mundësia të shkruajnë një histori ndryshe, jo vetëm për këtë sezon, por në përgjithësi për 3-vjeçarin e livornezit në eksperiencën e dytë bardhezi, larg lavdive të ciklit të parë. Një trofe, do të ishte i pari i “Allegri-bis”, i cili mund t’i jepte erëza dhe t’i shtonte kripë një sezoni në përfundim e sipër, rreth të cilit ngrihen pikëpyetje të konsiderueshme.
Për ta rregulluar sapopak situatën duhet bërë më e mira ndaj Atalantës së frikshme, e cila ka ditur t’i lëndojë pothuajse të gjithë këtë sezon. Allegri, megjithatë, është i sigurt se e ka arritur plotësisht objektivin e tij, pavarësisht nga rezultati i finales së Kupës së Italisë. Ai tha:
“E përsëris derisa të mërzitem, objektivi kryesor ishte që Juventusi të merrte pjesë në Champions League e ardhshme. Ka momente në jetë kur, nëse nuk fiton, mund të garantosh akoma një thesar për klubin.
Do të shohim nëse do të fitojmë, por do të japim gjithçka. Nuk është për të gjithë kjo finale. Ne do të jemi të mirë, shpresoj të kemi edhe pak fat, që ta marrim trofeun në shtëpi. Sidoqoftë, qëllimi madhor i sezonit ishte kualifikimi në Ligën e Kampionëve”.
Guri i themelit të mbrojtjes, kapiteni Danilo, është në kërkim të një kuptimi tjetër për sezonin e Juventusit: “Fitimi i finales do t’i jepte një kuptim tjetër sezonit. E arritëm objektivin e Champions League, por një trofe do të ishte shpërblim për qëndrueshmërinë dhe puna e përditshme të ekipit”.
Formacionet e mundshme:
ATALANTA (3-4-1-2): Carnesecchi; De Roon, Hien, Djimsiti; Zappacosta, Koopmeiners, Ederson, Ruggeri; Pasalic; De Ketelaere, Lookman.
JUVENTUS (3-5-2): Perin; Gatti, Bremer, Danilo; Cambiaso, McKennie, Nicolussi Caviglia, Rabiot, Iling-Junior; Vlahovic, Chiesa.







