Nga Roland LUCI
Me braktisjen e mbështetjes së organizuar Kuq e Zi, federata e futbollit bllokon shpirtin entuziast të stadiumit, eliminon elementin mbështetës aktiv të ekipit, bën që arena, e cila duhet te ishte ‘ferr’ për kundërshtarin, të kthehet në një ambient thuajse neutral sportiv, ideal për ata që aty duhet të dridheshin, ekipin serb.
Rreziku i konfrontimit, siguria e lartë që gjoja u kërkoka për këtë ndeshje, frika se mos stadiumi kthehet në një arenë demash pamplonas janë blofe e sofizma. Bllokimi deri në paralizim i Tiranës, mijërat e forcave policore në terren, mbyllja e gjithë bizneseve në zonën e stadiumit, fryrja tej mase e mundësisë së konfrontimit, trumbetimi i karakterit luftarak të ndeshjes vetëm sa e tensionojnë artificialisht situatën, shpërqendrojnë edhe ekipin.
E sigurtë është që nuk do të ndodhë asgjë jashtë aspektit sportiv, madje kjo do të shitet si fitore e madhe! Megallomania me shpallje abuzive shifrash qindra-mijëshe të kërkesave për bileta, amatoresku i menaxhimit të tyre e rrënojnë autoritetin e federatës.
Gëlimi i tregut të zi të biletave me çmime të turpshme ngre dyshime për papërgjegjshmëri e deri matrapazllëk të personave përgjegjës. Karshillëku i turlilloj palaçoje, spekulanti dhe anonimi sportiv për sigurim biletash duke injoruar ata që dhanë kontributin e tyre që të ekzistojë kombëtarja jonë e futbollit, ish-lojtaret e saj, duke iu mbyllur brutalisht dyert e shtëpisë, që duhet të ishte e tyre, nuk i bën nder asaj. Përkundrazi!
Gjithsesi, uroj më të mirën, jo vetëm nesër në stadium kundër Serbisë, por sidomos që kombëtarja të mos jetë e FSHF-së, por të jetë e Shqipërisë!







