Në Olimpiadën që po zhvillohet në Paris, sot ka qenë radha e notarës kuqezi Kaltra Meça që të garojë në pishinë. Ajo ka marrë pjesë në bateritë eliminatore të garës 200 metra stil i lirë.
Në “Paris de la defence Arena”, Meça garoi në baterinë e parë, ku u klasifikua në vendin e katërt mes 8 garueseve. Notarja e re kuqezi dha kohën 2’12”21, duke mos arritur dot të kualifikohet më tej.
Në fazën gjysmëfinale të ëksaj gare shkuan 16 notaret më kohën më të mirë, por koha e notarës shqiptare ishte larg atyre. Për pasojë, aventura e Kaltra Meça në këtë garë ka përfunduar shumë shpejt.
Meça është sportistja e dytë shqiptare që garon në Olimpiadë, pas qitëses Manjola Konini, që garoi një ditë më parë në 10 metra pistoletë ajri, por pa mundur të avancojë më tej.







