Partizani rikthehet kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, mund Tiranën në finalen derbi

4 Maj 2024
20:12
Telesport
back button

Ekipi i Partizanit është shpallur sot në mbrëmje kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri fituan mbrëmjen e sotme 3-1 ndaj Tiranës në finalen e pestë play off luajtur në Farkë (25-16, 25-20, 15-25, 25-21), duke fituar 3-2 me ndeshje.

Një titull, i 16-ti në historinë e Partizanit, që erdhi me shumë mund për kryeqytetasit, që pas një disavantazhi 0-2 me ndeshje, arritën të fitojnë tri takimet e radhës, duke përmbysur gjithcka.Tirana kishte shansin të shpallej kampion në finalen e tretë, por nuk e shfrytëzoi mundësinë që iu dha.

Partizani u tregua cinik dhe konkret si në atë finale ashtu dhe në dy sfidat e fundit, duke mos toleruar dhe përfituar nga një Tiranë më e ngurtë. Dhe në fund, pas pesë vitesh pritje, Partizani feston dhe ngre lart trofeun, duke shkurorëzuar bardheblutë, që kishin fituar në dy sezonet e fundit.

Ndeshja e sotme në përgjithësi u komandua nga Partizani, që fitoi dy setet e para. Gjithsesi, Tirana nuk dorëzohet dhe fiton setin e tretë, duke rihapur ndeshjen, por vetëm kaq. Të kuqtë rikthehen dominues në fushë në setin e katërt, duke fituar me meritë setin dhe titullin kampion.

Një titull deri diku i merituar nga Partizani, që dominoi sezonin e rregullt, ku ishte i pamposhtur. Dy humbjet në dy finalet e para tronditën disi kampionët e saposhpallur, me një Tiranë që u “zgjua” atëherë kur duhej. Gjithsesi, Partizani rikthehet protagonist, duke e merituar fitoren.

Finalet play off

Partizani – Tirana, 1-3

Tirana – Partizani, 3-2

Partizani – Tirana, 3-2

Tirana – Partizani, 0-3

Partizani – Tirana, 3-1

*Partizani fitoi 3-2 me ndeshje

Lajme të tjera

Lajmet e fundit