Emri i Andrés Iniesta, i konsideruar një nga talentet më të mëdhenj në historinë e futbollit, është përfshirë në një hetim të Prokurorisë së Perusë për “mashtrim të rëndë”. Hetimi lidhet me pretendime për parregullsi financiare në degën e Amerikës së Jugut të kompanisë së tij, “Never Say Never” (NSN). Sipas “Infobae”, kompania akuzohet për dëm ekonomik mbi 600.000 dollarë ndaj sipërmarrësve peruanë.
Ankesat nga “Gucho Entertainment” dhe investitorë të tjerë përfshijnë evente sportive dhe muzikore, që nuk u realizuan, si “K-Pop Music Fest” dhe ndeshje miqësore ndërkombëtare. Prokuroria thotë se reputacioni i ish-kampionit të Barcelonës u shfrytëzua për të tërhequr investime, me premtimin e eventeve që nuk u realizuan. Disa sipërmarrës investuan deri në 35.000 dollarë secili.
Përveç Iniesta, hetimi përfshin edhe Paul Valderrama Rubio dhe Carlos Gómez Pintor, bashkëthemelues të “NSN Sudamérica” (2023), e cila shpalli falimentin vitin pasardhës. Kompania nuk ktheu fondet dhe nuk ofroi llogari financiare. Hetuesit po studiojnë përfshirjen e ish-lojtarit të Barcelonës dhe mundësinë e shkeljeve financiare ndërkombëtare. Iniesta nuk është deklaruar ende për këtë hetim ndaj tij.







