Piastri triumfon në Holandë, Verstappen në podium, Ferrari e mbyll me dy përplasje dhe 0 pikë

31 Gusht 2025
16:42
Telesport
back button

Oscar Piastri me McLaren fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Holandës në Formula 1, duke triumfuar me meritë në pistën e Zandvoort. Një fitore që ka vlerë dyfish për pilotin australian, pasi shoku i tij i skuadrës dhe rivali kryesor për titull, Lando Norris, u tërhoq 10 xhiro nga fundi.

Norris ishte gjatë gjithë garës në ndjekje të Piastri, pa mundur dot asnjëherë ta kapë, por në fund u detyrua të ngrejë “flamurin e bardhë” pas një problemi në motor. Tashmë Piastri shkëputet 34 pikë në renditjen e përgjithshme ndaj Norris, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit.

Në vendin e dytë u rendit Max Verstappen me Red Bull, që mori maksimumin në garën e shtëpisë. Edhe pse në pistë hyri 3 herë makina e sigurisë, ai nuk arriti dot të parakalojë makinat McLaren. I treti u klasifikua Isak Hadjar me RB, që për herë të parë në karrierën e tij ngjitet në podium, një rezultat fantastik për të.

Një garë për t’u harruar kjo për Ferrari, pasi të dy pilotët e “kokëkuqes” dolën jashtë piste. Hamilton u përplas në pjesën e parë të garës me barrierat mbrojtëse, ndërsa Leclerc ishte protagonist i një aksidenti me Antonelli në gjysmën e dytë të garës, me italianin që e përplasi monegaskun, duke e nxjerrë jashte loje.

Në vendin e katërt u rendit George Russell me Mercedes, që la pas Alexander Albon, Oliver Berman, Lance Stroll, Fernando Alonso, Yuki Tsunoda e Esteban Ocon (top-10). Jashtë zonës së pikëve mbeti Kimi Antonelli me Mercedes edhe pse u rendit i gjashti, pas 15 sekondave penalitet që mori për dy gabime në garë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit