Fredy Guarin i ka shokuar të gjithë me një intervistë të fundit, gjatë së cilës ka dhënë edhe mesazhe të fuqishme për jetën.
Kolumbiani, vite më parë lojtar i Interit, është 38 vjeç dhe është larguar nga futbolli në vitin 2021. Ai ka rrëfyer varësinë dhe problemet që ka pësuar nga alkooli, duke përmendur edhe aktin e fundit, vetëvrasjen.
“Fillova të bëja emër në Itali, por problemet i kisha jashtë futbollit. Dehesha dy ditë para ndeshjes, zbrisja në fushë, shënoja dhe skuadra fitonte. Nuk ishte edhe aq keq në fillim”.
“E dija se po gaboja. Isha i shqetësuar për familjen, por dështova në të gjitha aspektet. Interi në fund u dorëzua dhe më tha se nuk mund të qëndroja më në klub”.
“Kalova rreth 6 muaj në qetësi dhe po rigjeja vetveten, por më pas ndodhi pandemia dhe ndarja nga gruaja. Fillova sërish alkoolin. Konsumoja 50, 60 apo 70 birra brenda natës”.
“Shkoja nëpër lagjet e qytetit tim, kaloja netë të tëra duke pirë dhe duke shkuar me femra. Kërkoja rrezikun, adrenalinën, doja të shihja armë dhe asgjë nuk më shqetësonte”.
“Jetoja në katin e 17-të dhe nuk kisha asnjë lidhje me jetën. Mendoja të hidhesha nga dritarja”.