Një mbrëmje që duhej të ishte vetëm futbolli, pas barazimit Dinamo–Vllaznia 1-1, u kthye në një skenë tensioni të fortë televiziv. Protagonistë ishin trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, dhe moderatorja e RTSH Sport, Hygerta Sako.
Gjithçka shpërtheu në studio, kur Martini i kërkoi prezantueses t’i kërkonte publikisht falje për një deklaratë të mëparshme të saj (trajner i paedukatë). Përballë mungesës së reagimit, ai vendosi të largohej menjëherë nga intervista, duke lënë pas një situatë të rënduar.
“Jam këtu për respekt të tifozërisë shkodrane, nëse kjo zonja që drejton emisionin nuk kërkon falje për racizmin ndaj lojtarëve me ngjyrë, ironinë dhe humorin që bën në studio me ne dhe për drejtimin e fjalës ‘i paedukatë’ ndaj meje, unë nuk flas”, – tha Martini dhe braktisi intervistën e zakonshme pas ndeshjes.

Nuk vonoi shumë dhe Vllaznia u solidarizua publikisht me trajnerin e saj, përmes kësaj deklarate zyrtare: “Klubi i Futbollit Vllaznia dënon me forcë deklaratat e papranueshme dhe gjuhën fyese të përdorur nga moderatorja e RTSH, Hygerta Sako, në emisionin “Supergol”, ndaj trajnerit të ekipit tonë, Edi Martini.
Etiketimi i trajnerit tonë si “i paedukatë”, i bërë publikisht dhe në mungesë të tij në studio, përbën një mungesë të theksuar profesionalizmi, etike dhe respekti minimal ndaj një figure të rëndësishme të futbollit shqiptar.
Në vijim të kësaj situate, dhe për shkak të mungesës së një kërkim faljeje nga ana e znj. Sako, trajneri ynë ka zgjedhur të ndërpresë dhe të braktisë intervistën, si një reagim i drejtë ndaj këtij trajtimi të papranueshëm.
Për më tepër, vlerësojmë se kjo qasje nuk është vetëm fyese, por edhe e njëanshme në gjykim, duke kaluar kufijtë e analizës profesionale dhe duke rrëshqitur drejt shpifjes dhe denigrimit publik.
Ky nuk është një rast i izoluar. Moderatores në fjalë i janë evidentuar edhe më herët sjellje të papërshtatshme në raport me aktorë të botës së futbollit, përfshirë gjuhë fyese, elementë bullizimi dhe deklarata me tone diskriminuese ndaj futbollistëve të huaj.
KF Vllaznia është e vendosur të mbrojë dinjitetin e trajnerit, ekipit dhe gjithë komunitetit tonë sportiv. Për këtë arsye:
Dënojmë publikisht këtë sjellje të papranueshme
Kërkojmë reflektim dhe përgjegjësi institucionale nga RTSH
Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale, duke depozituar një ankesë pranë Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe organeve përkatëse
Ne besojmë se media publike, e financuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë, duhet të jetë një shembull i standardeve të larta profesionale, etikës dhe respektit.
Moderatorë dhe analistë që përdorin gjuhë fyese, denigruese, të njëanshme apo që shpifin, nuk mund dhe nuk duhet të kenë vend në drejtimin e emisioneve publike, pasi dëmtojnë jo vetëm individët, por edhe vetë besueshmërinë e medias dhe sportit shqiptar.
KF Vllaznia do të vazhdojë të qëndrojë fort në mbrojtje të vlerave të sportit, respektit dhe dinjitetit njerëzor”.

Nga ana tjetër, reagimi i Sakos erdhi i gjatë dhe i detajuar, duke e zhvendosur debatin përtej episodit të fundit dhe lidhur me një konflikt të hershëm: “Nuk doja kurrsesi të prononcohesha sot, por duke parë deklaratat aspak etike dhe fyese kundra meje, e ndjej të nevojshme të sqaroj jo vetëm publikun, por dhe tifozët e Vllaznisë dhe presidencën e saj se: E gjithë kjo situatë ka rrjedhur nga një inat personal i Edi Martinit me mua, që daton në vitin 2021 kur si ‘RTSH Sport’ organizonim ‘Më të mirët e Vitit’.
Në votimin transparent prej 7 specialistësh kryesorë të studiove televizive, ndër ta emra të nderuar si Shkëlqim Muça, Sulejman Starova, Astrit Hafizi, Redi Jupi etj, 4 prej tyre votuan si trajnerin më të mirë të vitit ish-trajnerin e Vllaznisë së atij edicioni Thomas Brdariç dhe 3 prej tyre Edi Martinin. Nuk po flas për ndërhyrjet që Martini dhe njerëz afër tij ndërmorën që të ndryshohej votimi dhe trofeu t’i jepej atij.
Martini mendon se trofeun e kam dhënë unë, ndërkohë që isha thjesht moderatore dhe formulën e votimit e kam bërë publike për mediat. Prej asaj kohe ky zotëri nuk i ka kursyer ofendimet ndaj meje tek kolegët e mi sa herë i ka takuar. E megjithatë s’kam reaguar, por kam vazhduar ta trajtoj me respekt në çdo dalje televizive, duke ruajtur etikën profesionale.
Pra, të dashur tifozë, inati personal i Martinit me mua është pikërisht sepse u vlerësua me meritë një trajner i Vllaznisë dhe s’po shkoj më tej duke ju kujtuar mënyrën se si festoi kur i hoqi titullin pikërisht Vllaznisë më 2021!
Për të ardhur te ngjarja e ditëve të fundit. Pas fitores me Partizanin e nisi intervistën me një ironi të pajustifikueshme, të cilën ia kalova me qetësi e pa e komentuar më tej. Në fund iu drejtova me një pyetje profesionale, të cilës iu përgjigj me harbutëri dhe aspak profesionalizëm. Martini për inate personale nuk mund të sillet jo etik me gazetarët dhe pastaj të ndihet i fyer. Mos të harrojmë që po flasim për një trajner që është dënuar 3 herë nga Komisioni i Disiplinës për sjellje të shëmtuara dhe jo sportive.
Unë Shkodrën dhe Vllazninë e dua, për gjithë emocionet që i dhuron futbollit si djepi i futbollit e dhjetra talenteve. Por, përpara se KF Vllaznia të bëjë deklarata të nxituara ndaj një gazetareje që prej 12 vjetësh ka bërë maksimumin për t’i dhënë kësaj skuadre vlerat që meriton, le të merret me trajnerin e saj për t’i rregulluar sjelljen publike”.
Një përplasje që tashmë ka kaluar kufijtë e një debati sportiv, duke u kthyer në çështje të hapur mes etikës profesionale, respektit dhe historive të vjetra që rikthehen në momentet më të papritura.







