Pochettino, shumë i ashpër me Pulisic: Nuk vendos ai nëse luan apo jo, s’jam kukull këtu

16 Qershor 2025
8:39
Alfred Lleshi
back button

Përplasje e fortë në SHBA mes kapitenit të kombëtares amerikane, Christian Pulisic, dhe trajnerit Mauricio Pochettino. Vetëm pak orë para debutimit në “Gold Cup” kundër Trinidad & Tobago, trajneri argjentinas ka reaguar ndaj deklaratave të sulmuesit të Milanit, duke shpjeguar pse ka refuzuar kërkesën e tij. Pulisic kishte kërkuar të luante dy miqësoret përgatitore për turneun (të humbura kundër Zvicrës dhe Turqisë), por të mos merrte pjesë në “Gold Cup”.

Në një intervistë për CBS, Pulisic kishte deklaruar se kishte nevojë për pushim pas një sezoni shumë të ngarkuar, duke kujtuar se kishte zhvilluar gati 120 ndeshje në dy vitet e fundit mes Milanit dhe kombëtares, dhe se nuk e kishte kuptuar plotësisht refuzimin e trajnerit për këtë kërkesë.

Pochettino i bëri gjërat të qarta: “E respektoj dhe e kuptoj, por nuk kam nevojë që ai të kuptojë vendimin tonë. Unë kam rolin tim, jam 53 vjeç dhe kam shumë eksperiencë në futboll. Lojtarët nuk kanë pse të kuptojnë ose të mos kuptojnë. Ata duhet të dëgjojnë dhe të ndjekin planin tonë. Nuk iu takon atyre ta diktojnë atë. Ne vendosim nëse një lojtar ka nevojë për pushim apo jo”.

Pastaj goditja e fundit nga trajneri: “Ju thoni që është lojtari ynë më i mirë. Po, është një lojtar i mirë, sigurisht, por duhet ta tregojë këtë. Nëse luan mirë dhe është më i miri, atëherë është normale që të ketë vend në kombëtare. Gjithsesi nuk mund të funksionojë kështu, që ai të thotë ‘dua të luaj, dua të bëj këtë apo atë’ dhe ne ta pranojmë. Kam firmosur kontratë me federatën dhe jam unë trajneri. Nuk jam një kukull këtu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit