Pogradeci qëndron në vendin e parë të renditjes së Superligës në volejboll për femra pas fitores 3-1 ndaj Tiranës (25-21, 19-25, 25-20, 25-23). Një ndeshje me rivalitet shumicën e kohës, me të dyja ekipet që sfiduan njëra-tjetrën deri në fund për fitoren.
Tirana dueloi fort, por në fund kampionet ngritën “flamurin e bardhë”, ndërkohë që pogradecaret janë skuadra e vetme pa humbje në kampionat. Në Farkë, skuadra e Dinamos fitoi 3-0 (25-23, 25-19, 25-20) ndaj Skënderbeut, një tjetër përballje mes dy ekipesh rivale.
Edhe pse mikeshat nga Korça u përpoqën të rivalizojnë, në pikët e fundit gabuan, ndërsa Dinamo ishte më e saktë, duke e merituar fitoren. Falë këtyre 3 pikëve, skuadra kryeqytetase barazohet me pikë me Pogradecin në krye të renditjes, ndërsa Skënderbeu qëndron i katërti.
Fitoren e parë sezonale korri Teuta, që mundi 3-0 Korabin (25-14, 25-10, 25-7), duke marrë edhe tri pikë të rëndësishme që e largojnë nga fundi. Në Shkodër, ekipi i Partizanit fitoi 3-1 ndaj Vllaznisë (25-21, 25-20, 22-25, 25-20), duke qëndruar në grupin e skuadrave pretendente për titull.
Superliga-Femra, java e 6-të
Vllaznia – Partizani, 1-3
Korabi – Teuta, 0-3
Pogradeci – Tirana, 3-1
Dinamo – Skënderbeu, 3-0
Renditja: Pogradeci 16 pikë, Dinamo 16 pikë, Tirana 14 pikë, Skënderbeu 10 pikë, Partizani 10 pikë, Vllaznia 3 pikë, Teuta 3 pikë, Korabi 0 pikë.







