Para se të transferohej tek Inter Miami, pas largimit nga Paris Saint-Germain, Lionel Messi kishte marrë një ofertë monstruoze nga Arabia Saudite. Një interesim i njohur që lojtari e kishte konfirmuar pa hyrë kurrë në detaje.
Anmar Al-Haili, presidenti i Al-Ittihad, zbuloi ofertën e pabesueshme të bërë nga klubi i tij për tetë herë fituesin e Topit të Artë: “Ne i bëmë atij një propozim prej 1.4 miliardë euro. Por ai refuzoi sepse familja e tij donte të largohej në Amerikë”.
“Nuk mendoja se një lojtar mund të refuzonte një ofertë kaq të madhe për hir të familjes së tij, sepse familja është më e rëndësishme se paratë”, tha më tej president ii klubit arab.
Vetë Messi ka folur për mundësinë për t’u bashkuar me Arabinë Saudite: “Kisha disa opsione në tavolinë. Më duhej t’i analizoja dhe t’i reflektoja me familjen time, përpara se të merrja vendimin për të ardhur në Miami”.
“Opsioni im i parë ishte të kthehesha në Barcelonë. Është e vërtetë që më pas mendova shumë për të shkuar në Ligën Saudite. Ata krijuan një konkurrencë shumë të fortë që mund të bëhet një kampionat i rëndësishëm në të ardhmen e afërt”, tha Messi.
“Si ambasador i turizmit në Arabinë Saudite, ishte një destinacion që më tërhoqi, sepse është një vend që e kam vizituar dhe që më pëlqen. Por, edhe për shkak të rritjes së kampionatit dhe përpjekjeve të bëra për të krijuar një konkurrencë të nivelit të lartë”, tha Messi.







