Rabiot dhe e ardhmja: Tani nuk duhet të dalim nga binarët, vendos pas finales së Kupës së Italisë

13 Maj 2024
10:45
Alfred Lleshi
back button

Mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, pas barazimit ndaj Salernitanës, ku shënoi golin përfundimtar 1-1, ka folur për “Sky Sport”, duke iu referuar edhe temës që ka të bëjë me të ardhmen e tij: “E kam thënë tashmë; derisa t’i kemi arritur objektivat, nuk do të flas me klubin. Do të mendoj për këtë kur të jemi kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Jam i lumtur dhe krenarë që luaj këtu, të drejtoj këtë ekip të rinjsh. Këtë mbrëmje kam pasur edhe shiritin e kapitenit, për të ardhmen do të bisedojmë pas finales së Kupës së Italisë”.

Një mendim edhe për periudhën negative të Juventusit: “Situata ka qenë e komplikuar për shumë javë. Duhet të përpiqemi të qëndrojmë të qetë mbi të gjitha, sepse do të luhet një finale të mërkurën. Nuk është koha për të dalë nga binarët tani.

Kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në fund të sezonit, këto situata mund të ndodhin në futboll. Luajtëm një pjesë të parë të keqe kundër Salernitanës, ndryshuam për mirë pjesën e dytë. Kemi krijuar mundësi, megjithatë duhet thënë se nuk jemi shumë të qartë para portës kundërshtare”.

Finalja ndaj Atalantës është afruar me më shumë shqetësim apo zemërim: “Është një ndeshje e vetme, e thatë. Ne do të kërkojmë ta fitojmë finalen, edhe pse Atalanta po bën shumë mirë. Personalisht preferoj të përballem me ekipe të forta në finale të tilla. Tani jemi pak poshtë moralisht, por kemi një moment të mirë për ta jetuar. Po flasim për një finale, një trofe, ndaj do të përpiqemi ta fitojmë kupën”.

Pse gjithë këto vuajtje të bardhezinjve: “Futbolli është i tillë, është një çështje mendore dhe jo teknike. Kur përshpejtuam në pjesën e dytë, nuk pati ndeshje. Ne goditëm tri shtylla, ishim të pafat. Në këtë moment nuk ka shumë për të thënë, por për të vepruar në fushën e lojës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit