Raphinha dhe përplasja me babain për paratë, vila luksoze zbuloi krizën familjare dhe të ardhmen e paqartë

26 Qershor 2026
11:23
Alfred Lleshi
back button

Emri i Raphinha është shndërruar në temë diskutimi përtej fushës së lojës gjatë këtyre javëve, në një periudhë ku vëmendja duhej të ishte vetëm te Botërori. Sipas deklarimeve të ish-futbollistit Vampeta, ish-kampion bote në vitin 2002, sulmuesi i Barcelonës është përballur me vështirësi financiare që ndikuan edhe në fokusin e tij sportiv.

Në disa raportime nga media amerikano-latine dhe portali “Leo Dias”, sugjerohet se situata e tij ekonomike ka qenë më e ndërlikuar nga sa është menduar, deri në pikën që është përmendur edhe mundësia e një transferimi në Arabinë Saudite për arsye financiare.

Ngjarja kthehet pas në vitin 2022, kur Raphinha, atëherë te Leeds United dhe në prag transferimi te Barcelona për rreth 60 milionë euro, kërkonte me bashkëshorten e tij një vilë në Spanjë me vlerë rreth 10 milionë euro. Gjatë procesit të pagesës u zbulua se fondet nuk ishin të disponueshme, duke hapur dyshime për menaxhimin e të ardhurave.

Sipas këtyre raportimeve, bashkëshortja e tij Natalia kishte zbuluar se vetëm 20% e të ardhurave nga kontratat reklamuese shkonin drejtpërdrejt te lojtari, ndërsa pjesa tjetër administrohej nga babai i tij, i cili menaxhonte edhe aspektet financiare të karrierës. Kjo strukturë ndikonte edhe në ndarjen e pagave të klubeve, ku përfshiheshin të drejtat e imazhit.

Situata do të çonte në një përplasje familjare dhe profesionale, me Raphinha që ndërpreu përfundimisht bashkëpunimin me të atin. Menaxhimi i karrierës së tij kaloi më pas te vjehrri i tij, Alexandre Madeira, një agjent i licencuar nga FIFA.

Pavarësisht spekulimeve për interesimin e Al Hilal, burime pranë lojtarit këmbëngulin se prioritet mbetet qëndrimi në Barcelonë. E ardhmja e tij pritet të qartësohet pas Botërorit, ndërsa ai synon gjithashtu rikthimin në formë pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e dytë me Brazilin.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit