Reijnders është zyrtarisht i Manchester City, firmos deri më 2030. Ja komunikata zyrtare

11 Qershor 2025
11:32
Alfred Lleshi
back button

Më në fund, zyrtarizimi mbërriti në orët e paradites: Tijjani Reijnders është lojtari i ri i Manchester City. Të dielën, mesfushori holandez kreu vizitat mjekësore të zakonshme, duke “braktisur” përkohësisht kombëtaren, për të firmosur kontratën me klubin e ri dhe rikthyer më pas në grumbullimin e përfaqësueses me trajnerin Ronald Koeman.

Edhe pse dritarja shtesë e merkatos mbyllej në orën 20:00 të ditës së djeshme, kjo nuk e pengoi zyrtarizimin e marrëveshjes. Kalimi i tij nga Milani tashmë është publik. Shifrat zyrtare të operacionit nuk janë bërë publike, por flitet për një marrëveshje prej 65 milionë euro (përfshirë bonuse të lehta për t’u arritur), plus 5 milionë euro të tjera bonuse të vështira. Reijnders ka firmosur kontratë deri në vitin 2030 dhe do të punojë nën urdhrat e Pep Guardiolës.

Ja komunikata zyrtare e klubit:
“Manchester City është i lumtur të njoftojë afrimin e Tijjani Reijnders me kontratë 5-vjeçare. Mesfushori 26-vjeçar holandez vjen nga AC Milan, ku ka kaluar dy sezonet e fundit. Lojtar energjik, por edhe elegant, i aftë të mbulojë role si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë mbrojtëse, Reijnders u shpall ‘mesfushori më i mirë i Serie A në sezonin 2024/25’, një vlerësim i merituar pas një edicioni të jashtëzakonshëm, ku shënoi 15 gola në 54 ndeshje, më shumë se dyfishi i rekordit të tij të mëparshëm sezonal.

Qoftë kur bën pasimin vendimtar, qoftë kur futet në hapësira, apo kur godet nga distanca, Reijnders ka treguar se ka një repertor të plotë, dëshmuar në një nga kampionatet më të vështira të Europës.

Para se të kalonte te Milani, ai debutoi si profesionist me PEC Zwolle, më pas u afirmua si titullar te AZ Alkmaar. Prej sezonit 2020/21, kur shpërtheu me AZ, Reijnders ka grumbulluar shumë eksperiencë si në klube, ashtu edhe me kombëtaren holandeze.

Pas debutimit me kombëtaren A në vitin 2023, ai i luajti të gjitha, 6 ndeshjet e Europianit 2024, duke kontribuar në arritjen e Holandës deri në gjysmëfinale. Tani është në dispozicion për Botërorin e Klubeve FIFA, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur rrjedhshëm anglisht, Reijnders është shprehur entuziast për të ardhmen e tij me City. Të gjithë në klub janë të lumtur për ta mirëpritur Tijjani te Manchester City dhe i urojnë suksese në aventurën e re”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit