Sezoni i trazuar i Real Madridit ka fytyrën e Rodrygo Silva de Goes. Dikur i pazëvendësueshëm dhe lojtar kyç në ndeshjet më të rëndësishme, gjithmonë vendimtar kur bëhej fjalë për sfida me peshë, braziliani është zbehur muajt e fundit, duke humbur gradualisht rëndësinë në skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti.
Rritja e Arda Güler dhe një sistem loje tepër i përqendruar rreth Mbappé e kanë detyruar të luajë rol dytësor në këtë vit 2025: vetëm 2 gola të shënuar, një në derbin e vajtjes së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve dhe tjetri në kampionat kundër Las Palmas (më 19 janar).
Shifra të varfra për një sulmues mbi të cilin në të kaluarën Real Madridi ishte mbështetur shumë, por sot nuk duket më i domosdoshëm apo i paprekshëm. Nëse klubi madrilen do të ketë nevojë të bëjë një shitje, mes tij dhe Vinicius, ai që mund të largohet është pikërisht 24-vjeçari nga Osasco.
Sipas shtypit spanjoll, Xabi Alonso ka lënë të kuptohet se mund të bëjë pa të, pasi synon ta ndërtojë ekipin rreth Bellingham, Mbappé dhe Vinicius. Një situatë krejtësisht e re për Rodrygon, i cili ka luajtur 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet (38 si titullar), duke realizuar 13 gola dhe dhënë 10 asistime, shumica e tyre para muajit shkurt.
Tani duhet të shohë përreth dhe të kuptojë nëse ka hapësirë për largim nga “Los Blancos”. Braziliani ka kontratë deri në vitin 2028 dhe nuk i mungojnë admiruesit. Diçka mund të lëvizë në këtë drejtim pas disa javësh.







