Serbët shohin “provokacja” në gjithçka, nga Tirana iu tremben “Shvercerave” në Shkup

6 Qershor 2025
11:39
Alfred Lleshi
back button

Mediat serbe kanë zbarkuar në Tiranë, në kuadrin e ndeshjes kualifikuese të grupit K, që kombëtarja e tyre do ta luajë në “Arena Kombëtare”. Gazetari i “kurir.rs” i ka kushtuar një shkrim tifozërisë shqiptare, më saktësisht asaj nga Shkupi, që organizohet nën përcaktimin “Shvercerat”, por nuk kanë marrë bileta prej FSHF-së, ndaj do ta mbështesin kombëtaren e tyre të zemrës nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut:

“Teksa afrohet e shtuna dhe përballja mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, tensionet janë në rritje, pasioni i tifozëve po bëhet gjithnjë e më i zjarrtë.

Edhe pse ndeshja zhvillohet në Tiranë, një nga pikat kryesore të vëmendjes do të jetë në Shkup, ku, sipas paralajmërimeve, do të mblidhet grupi i njohur i tifozëve shqiptarë “Shvercerat”.

Arsyeja është fakti që Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka dhënë bileta për grupet e organizuara të tifozëve, ndaj “Shvercerat” kanë vendosur ta mbështesin kombëtaren nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut.

Tubimi masiv do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, ku nga ora 20:45, në të njëjtën kohë kur fillon ndeshja në Tiranë, ata do të përkrahin kombëtaren e zemrës.

Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është mënyra se si kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj Serbisë. Në deklaratën e tyre, ata paraqitën flamurin serb të kthyer përmbys. Një veprim që, sipas shumëkujt, përfaqëson një simbol të qartë mosrespektimi dhe rrit më tej tensionet para ndeshjes.

“FSHF na pengon, por askush nuk mund ta ndalë ZEMRËN E KUQE! E SHTUNA ËSHTË E JONA, kështu thotë populli shqiptar! Të shtunën, në orën 20:45, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në SHKUP, ndezim atmosferën për kombëtaren tonë! Duan të na përçajnë, por ne tregojmë se ku ka shqiptarë, ka edhe Shqipëri!

Nuk mund të na ndalojnë me bileta, me rregulla, me urdhra. Ne jemi zëri i tribunës që kurrë nuk hesht. Ne jemi ‘Shvercerat’, ne jemi kuqezinj, ne jemi Shqipëria e vërtetë! MOS E HUMBISNI – O JENI ME KOMBIN, O JENI KUNDËR TIJ!” – thuhet në deklaratën e këtij grupi tifozësh”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit