Julian Shehu është kthyer në titullar të padiskutueshëm për Sylvinho. Madje, edhe kur nisin zëvendësimet, ai nuk preket te Shqipëria. Pas fitores 1-0 ndaj Andorrës, mesfushori ynë kuqezi u shpreh: “Debutimi ndaj Andorrës, ndeshjen e parë? Të them të drejtën në ndeshjen e parë nuk e mendoja se do të jemi këtu. E dinim që ishte e vështirë, por ka qenë rrugëtim i bukur shumë.
Nuk kam fjalë. Falënderoj ekipin, sepse pa të nuk do të ishim këtu. E kemi merituar të jemi këtu. Kemi bërë ndeshje të mira dhe jo fort të tilla, duhet ta shijojmë pak këtë moment. Falënderoj tifozët, sepse na u duk sikur po luanim në shtëpi sot. Ishte arritje ndër më të mëdhat e futbollit në Shqipëri.
Topat e gjatë? Unë mendoj se kur luan me ekipe të dobëta në letër, ka presion dhe trysni për të shënuar shpejt. Kjo e fut ekipin në presion dhe bën gabime të thjeshta. Hymë nën presion me veten, por në të dytën kishte hapësira dhe i shfrytëzuam. Bëmë disa ndrsyhime taktike që na i tha trajneri dhe gjërat shkuan perfekt.
Tani jemi të fokusuar tek Anglia dhe duam ta shijojmë. Ëndërr kemi Botërorin, po mendojmë seriozisht tani për ‘play off’. Shpresoj ta realizojmë këtë ëndërr që kemi të gjithë shqiptarët”.







