Stadiumi ku Serbia sfidon Shqipërinë kushtoi 75 milionë, por kurrë s’do të thoje se aty luhet futboll

6 Qershor 2025
11:31
Alfred Lleshi
back button

Mediat serbe kanë zbarkuar në Tiranë, në kuadrin e ndeshjes kualifikuese të grupit K, që kombëtarja e tyre do ta luajë në “Arena Kombëtare”. Gazetari i “kurir.rs” i ka kushtuar një shkrim stadiumit tonë kuqezi, si më poshtë:

“Serbia do ta nisë kualifikimin për Kupën e Botës 2026 në një stadium modern, por shumë të çuditshëm në Tiranë. Stadiumi ‘Air Albania’ është padyshim më moderni i futbollit në Shqipëri dhe një nga objektet më të avancuara sportive në Ballkan.

Ndodhet në qendër të Tiranës. Ndërtimi i tij nisi në shtator të vitit 2016 dhe u hap zyrtarisht më 17 nëntor 2019, me ndeshjen Shqipëri-Francë (0:2) në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Megjithatë, ndeshja e parë që u zhvillua në këtë fushë ishte një miqësore mes ekipeve të futbollit të femrave Vllaznia dhe Apolonia.

Stadiumi “i rrethuar” nga hotele, restorante, dyqane luksoze…

Pamja e jashtme nuk të jep përshtypjen e një stadiumi, sepse aty ndodhen shumë restorante dhe kafene, një hotel, dyqane të markave të njohura të veshjeve dhe këpucëve, si dhe një kazino që punon pa ndërprerje.

Nuk dallohen as ndriçuesit e fushës (reflektorët), stadiumi më shumë ngjan me një qendër tregtare, gjë që, në fakt, nuk do të ishte konstatim i gabuar.

Në katin e pestë ndodhet “Muzeu i Futbollit Shqiptar”, ndërsa i gjithë kompleksi përfshin salla konferencash, qendër ‘spa’ dhe parking nëntokësor.

Ky impiant mund të krahasohet me stadiumin në kulmin e një qendre tregtare në Beograd, ku luan Voždovac, ndonëse me një koncept dhe plan të ndryshëm.

Kulla  veçantë, pjesë e kompleksit të stadiumit, është 112 metra e gjatë dhe përfaqëson ndërtesën më të lartë në Shqipëri.

FSHF investoi vetëm “10 milionë euro”

Ndërtimi i stadiumit nuk kushtoi 10 milionë euro, por aq ishte shuma që Federata Shqiptare e Futbollit investoi për të mbështetur kompaninë private “Albstar”, e cila shtoi edhe 65 milionë euro të tjera. Në këmbim, kompania fitoi të drejtën e menaxhimit të hapësirës në kompleks, pra të gjithë zonës ku ndodhen këto ambiente.

Crvena Zvezda në “Air Albania”

Vetëm një ekip serb ka luajtur në këtë stadium. Crvena Zvezda e mban mend “Air Albania” për mirë, pasi më 25 gusht 2020, në kuadër të turit të dytë të Ligës së Kampionëve, mposhti Tiranën me rezultatin 1-0.

Goli i vetëm në ndeshje u shënua nga Tomane në minutën e 60-të. Meqë ndeshja u luajt sipas rregullave të atëhershme të COVID-it, nuk pati tifozë dhe nuk u zhvillua ndeshje kthimi. Një ndeshje e vetme vendoste gjithçka.

Stadiumi “Air Albania”

Kapaciteti: 22.000 vende

Ndërtimi: 2016-2019

Kostoja: 75 milionë euro

Hapja zyrtare: Shqipëri – Francë (0:2)

Finalja europiane në ‘Air Albania’

Në stadiumin ku Serbia do të luajë të shtunën është zhvilluar edhe një finale europiane për trofe. Roma, në vitin 2022, në finalen e Ligës së Konferencës, mposhti Feyenoord me rezultatin 1:0. Ajo ndeshje konsiderohet si më e rëndësishmja e luajtur ndonjëherë në ‘Air Albania’ dhe një nga ngjarjet më të mëdha sportive të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri.

IMG-20250606-WA0035.jpgIMG-20250606-WA0034.jpgIMG-20250606-WA0033.jpgIMG-20250606-WA0036.jpgIMG-20250606-WA0037.jpgIMG-20250606-WA0038.jpgIMG-20250606-WA0047.jpgIMG-20250606-WA0048.jpgIMG-20250606-WA0049.jpgIMG-20250606-WA0050.jpg

Lajme të tjera

Lajmet e fundit