Në prag të një prej ndeshjeve më të veçanta për kombëtaren shqiptare, portieri Thomas Strakosha ka ndarë mendimet e tij për atmosferën në skuadër, përballjen me Serbinë dhe rëndësinë që kjo sfidë ka për gjithë vendin. Me qetësi dhe vendosmëri, Strakosha thekson se kjo nuk është sfidë personale e askujt, por ndeshje kolektive që kërkon përqendrim maksimal dhe unitet brenda grupit.
“Serbia është një kundërshtar i fortë fizikisht, por edhe ne kemi cilësitë tona. Ndeshjen nuk e shoh si një test personal, por si provë për të gjithë grupin”, – nënvizoi portieri kuqezi.
Strakosha tregon se grupi është përgatitur me qetësi dhe profesionalizëm, ndërsa është i vetëdijshëm për emocionet e tifozëve shqiptarë: “Për ne është një ndeshje që vlen tri pikë, si çdo tjetër, por për tifozët ka domethënie të veçantë. Duam t’i bëjmë krenarë me fitore”.
Ai thekson se objektivi kryesor është kualifikimi në Kupën e Botës 2026 dhe se mbështetja e tifozëve nga çdo cep i botës ka qenë motivim shtesë për lojtarët: “Çdo shqiptar që na ka mbështetur nga Andorra deri në Angli meriton respekt. Ne luajmë për ta”.
Sa i përket rrezikshmërisë së Serbisë në goditjet standarde, Strakosha pranon cilësitë e kundërshtarit, por thekson rëndësinë e përqendrimit dhe mësimit nga e kaluara: “Kemi fituar përvojë në Europian, i njohim gabimet tona dhe do të bëjmë gjithçka për të mos i përsëritur”.
I pyetur për ndonjë lojtar të veçantë të Serbisë, shtoi: “Nuk përqendrohemi tek individët, por grupi. Ndeshjen e kemi përgatitur si përballje kolektive”.
Nga ana personale, Strakosha ndjehet gati për sfidën: “Në karrierë kam pasur edhe momente pa aktivizim, por tani kam më shumë përvojë dhe e di që përqendrimi është çelësi”.
Duke e mbyllur, ai thekson se çdo ndeshje është e rëndësishme, por jo vendimtare: “Duhet të japim gjithçka për tri pikët, por rruga është ende e gjatë. Nuk është finale, por një hap shumë i rëndësishëm drejt ëndrrës sonë”.







