Ivan Perisic, mesfushori 36-vjeçar kroat, mund të transferohet te Barcelona në merkaton e kësaj vere. Sugjerimi është bërë në Spanjë nga “Mundo Deportivo”, që shpjegon mundësinë që klubi katalanas të forcohet me një lojtar që vjet luajti në Holandë me PSV.
Këtë sezon, Perisic u aktivizua në 35 ndeshje, duke realizuar 16 gola dhe 11 asistime. Kroati do të mbërrinte si një transferim të lirë dhe paga e tij nuk do të përbënte pengesë për Barçën. Sipas gazetës spanjolle, futbollisti ka shprehur dëshirën për të vazhduar të luajë në nivelet më të larta, për të mbërritur në top formë në Botërorin 2026.
Ai që do të favorizonte këtë transferim është vetë trajneri Hansi Flick, që e njeh mirë. Trajneri i Barcelonës ka besim të madh te Perisic, pasi e ka stërvitur te Bayern dhe së bashku kanë fituar Champions League në vitin 2020. Ai e di se çfarë mund t’i japë, pavarësisht moshës.
Flick e njeh profesionalizmin e lojtarit dhe vlerën e shtuar në dhomat e zhveshjes. Si dhe aftësitë e tij në fushë, si anësor i djathtë, i majtë dhe, nëse duhet, edhe si ‘9’. Një shartim që do t’i sillte përvojë dhe pjekuri një grupi të përzier me rini dhe talent.







